E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Eagle Mobile, ndiqni finalen e Botërorit në Johanesburg

TIRANE- Kompania Eagle Mobile mundëson për 25 abonentë të saj ndjekjen drejtpërdrejt nga stadiumi “Soccer City” në Johanesburg të finales së madhe të Botërorit 2010, me një biletë të klasit të parë.
Duke e cilësuar futbollin si sportin më të ndjekur nga shqiptarët, Orkunt Yozgat, Drejtor i Grupit të Shitjeve dhe Marketingut në Eagle Mobile, thotë se “të shohësh nga vendet më të mira të stadiumit një finale të botërorit është një ngjarje që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë”.

“25 abonentë të Eagle Mobile do të udhëtojnë drejt Afrikës së Jugut në javën e dytë të Korrikut për të shijuar atje një javë të paharrueshme. Kompania jonë do të mbulojë të gjitha shpenzimet e tyre si biletën e avionit, qëndrimin në hotel, ushqimin dhe shëtitjet në qytetin e Johanesburgut. Ne u bëjmë thirrje sportdashësve shqiptarë që ta ndjekin ndeshjen në Johanesburg dhe jo nga televizori” theksoi z. Yozgat.

Të gjithë abonentët Eagle me parapagesë dhe ata që zotërojnë një numër individual me kontratë do të kenë mundësi të marrin pjesë në një shorte nga ku do të përzgjidhen 25 fitues.
Fushata që ka nisur më datë 2 Maj 2010 dhe përfundon më 16 Qershor 2010, u jep mundësi abonentëve me parapagesë që të jenë pjesë e shorteut, duke bërë të paktën një rimbushje prej 800 Lek (me TVSH) dhe të mbledhin pikë nga rimbushjet e tyre. Pjesëmarrësi i përzgjedhur duhet të paraqitet me pasaportën përkatëse nga 21 deri në 23 Qershor 2010 pranë Eagle Mobile.
10 nga 25 abonentët fitues do t’i përkasin programit individual me kontratë, 15 të tjerët do të zgjidhen nga programi me parapagesë, ndërkohë që regjistrimi në këtë fushatë do të jetë falas.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›