Apolonia shuan shpresat e Partizanit
Mbrojtësi 19-vjeçar i Partizanit, Renato Mallota, shënoi pas vetëm 100 sekondash lojë pas asistit të Elis Bakajt, duke bërë të heshtte stadiumi “Loni Papuçiu”, por Apolonia u kundërpërgjigj kundër një Partizani që e mbylli me dhjetë lojtarë me tre gola në fitoren 3-1 të fierakëve në ndeshjen hapëse të javës së 16-të, çka krijoi një diferencë prej pesë pikësh me të kuqtë, që dhe pas kësaj jave rrinë të “ngulur fort” në vendin e fundit.
Sulmuesi me përvojë, Mladen Bërkiç, barazoi shifrat në minutën e 20-të, duke sjellë edhe qetësi në bankinën fierake e duke rritur në maksimum adrenalinën në një “Loni Papuçiu” tërësisht të lirë për tifozët. Kapiteni bardhejeshil, Klodian Asllani, – lojtari që i dhuroi Apolonisë edhe fitoren në fazën e parë në kryeqytet, – shënoi golin e dytë pas pesëmbëdhjetë minutave lojë të pjesës së dytë, duke entuziazmuar trajnerin boshnjako-serb, Esad Karishik, por dhe pjesën tjetër të lojtarëve për shpërblimin me një premio prej 50 mijë lekësh për fitore. Në minutën e 71-të, Partizani, që ka “shijuar” disa herë mbetjen me dhjetë lojtarë gjatë këtij sezoni, do të mbetej pa portierin Orges Shehi. Kapiteni i “demave” frenoi në mënyrë të parregullt një lojtar fierak dhe gjyqtari ndërkombëtar, Albano Janku, duke qenë se ish-futbollisti i Teutës ishte lojtari i fundit në rreshtimin e skuadrës së Shpëtim Duros, e ndëshkoi me karton të kuq. Trajneri i Partizanit kreu një zëvendësim të detyruar, duke hedhur në fushë portierin zëvendësues, 19-vjeçarin Dashamir Xhika. Apolonia ngulmoi për të shënuar golin e tretë, atë të sigurisë, që e gjeti me anë të Arbër Dhramit në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë e që vulosi përfundimisht rezultatin 3-1 dhe humbjen e dytë sezonale të Partizanit ndaj Apolonisë, pas asaj në Tiranë (0-1).
Partizani është ende në kërkim të fitores, që i mungon prej 15 javësh, qyshkur fitoi në Lushnjë me rezultatin e ngushtë 1-0, dhe humbja në Fier me Apoloninë duket se i dha fund ecurisë shpresëdhënëse të të kuqve. Tashmë në kuotën e 10 pikëve, dy më pak se Lushnja e vendit të 11-të, situata te Partizani nuk është aspak e qetë kur kanë mbetur edhe 17 javë për t’u luajtur.
E vetmja kënaqësi “estetike” e Partizanit ndaj Apolonisë janë statistikat e përballjeve historike, ku në 58 ndeshje “demat” kanë fituar 37 herë, kundrejt 9 fitoreve të fierakëve (12 barazime). Fitorja e fundit e Partizanit daton më 21 prill 2007. Partizani do të presë në ndeshjen e fundit të këtij viti, përpara ndërprerjes së kampionatit, Flamurtarin. Apolonia, nga ana e saj, do të përballet me Teutën, që nga ana e saj humbi të shtunën 0-1 në “Niko Dovana” me Besën.
Kosovari Haliti prish paqen e derbit
Gjithçka dukej në paqe në takimin e fqinjëve Teuta-Besa dhjetë minuta përpara përfundimit, aq sa dhe komentatorët radiosportivë po komentonin pa asnjë lloj emocioni derbin, por zëvendësuesi i Arbër Abilaliajt, kosovari Fitim Haliti, në minutën e 82-të “shpiku” befasisht “golin e vockël”, që i dha fitoren 1-0 Besës e prishi humorin e trajnerit të Teutës, Sulejman Starova. Tri pikët ndaj durrsakëve e çuan Besën në vendin e tretë, me 25 pikë, dy më shumë se Dinamo e vendit të katërt, që nga ana e saj do të luajë kundër Lushnjës ditën e diel. Kjo ishte fitorja e 34-t e Besës në 125 ndeshje historike (52 fitore Teuta), ndërkohë që goli i Halitit ishte i 110-ti i kavajasve kundrejt 144 të durrsakëve. Në javën e 17-të Besa do të udhëtojë në Elbasan, ndërsa Teuta do të luajë në transfertë me Apoloninë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 16
E shtunë, 20.12.2008
Apolonia-Partizani 3-1
Teuta-Besa 0-1
E diel, 20.12.2008
Bylis-Vllaznia
(Gjyqtar: Edvan Hoxha)
Shkumbini-Elbasani
(Gjyqtar: Ervis Peza)
Dinamo-Lushnja
(Gjyqtar: Sokol Çekaj)
Flamurtari-Tirana
(Gjyqtar: Lorenc Jemini)
Tërbuni turpëron Skënderbeun: 3-0 në Pukë
Skënderbeu, kryesuesi dhe kampioni i dimrit i Kategorisë së Parë, pësoi një humbje të thellë 3-0 me Tërbunin në Pukë në javën e 15-të të këtij kompeticioni. Për korçarët kjo ishte humbja e tretë sezonale dhe e treta në transfertë. Gjithsesi, Skënderbeu, tashmë në kuotën e 33 pikëve, mbetet sërish në vendin e parë.
Gramozi i Ersekës, – e përfundoi me dhjetë lojtarë takimin, pas ndëshkimit të Armand Cakës, - barazoi 1-1 në Bilisht me vendasit, në një takim që u shoqërua me momente tensioni në pesë minutat e fundit të saj, kur edhe dy shënuan të dy golat, i pari nga miqtë nga Erseka me anë të brazilianit Oliveira. Kolonjarët protestuan për golin e Bilishtit, të parregullt sipas stafit teknik të Gramozit, madje pati tension në tribunën “VIP”. Kastrioti fitoi me Turbinën me rezultatin e ngushtë 2-1, duke u barazuar me pikë me Gramozin (nga 27), ndërkohë që Dajti fitoi 1-0 me Pogradecin, falë eurogolit të Ervin Kryemadhit. Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, e nisi me një barazim rikthimin e tij në një ndeshje të vendosur në fundin e takimit, kur Amarildo Dimo realizoi me kokë golin e barazimit në minutën e 90-të. Burreli fitoi pastër me Besëlidhjen e Lezhës, falë dy golave të realizuar nga Zenel Radaj (26’) dhe Elvis Neli (50’). Të dielën do të luhen edhe dy takimet e fundit të javës së 15-të: Skrapari-Sopoti dhe Laçi-Naftëtari, ku laçianët kanë shansin të kapin vendin e dytë në rast se fitojnë me kuçovaret e vendit të fundit.
KATEGORIA E PARË
Java 15
Të shtunën, 20.12.2008
Tërbuni-Skënderbeu 3-0
Kastrioti-Turbina 2-1
Dajti-Pogradeci 1-0
Bilisht Sport-Gramozi 1-1
Luftëtari-Ada 1-1
Burreli-Besëlidhja 2-0
Të dielën, 20.12.2008
Laçi-Naftëtari
Skrapari-Sopoti
RENDITJA PAS JAVES 15
1. Skënderbeu 33
2. Gramozi 27
3. Kastrioti 27
4. Laçi 26
5. Tërbuni 25
6. Burreli 23
7. Dajti 23
8. Turbina 20
9. Luftëtari 19
10. Sopoti 18
11. Besëlidhja 18
12. Ada 16
13. Bilishti 14
14. Pogradeci 14
15. Skrapari 13
16. Naftëtari 10
21 Dhjetor 2008