E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotito e do Canën në Lazio

Claudio Lotito ia ka dhënë Igli Tares detyrën për ta transferuar Lorik Canën në Lazio. Presidenti i klubit italian e pëlqen shumë mesfushorin shqiptar, të cilin beson se nga sezoni i ardhshëm do ta ketë në ekip. Nga Express më 14 prill 2011 në ora 12:32

Lorik Cana është bërë edhe zyrtarisht njëri prej objektivave kryesorë të Lazios për sezonin e ardhshëm. Presidenti i ekipit italian, Claudio Lotito, ia ka dhënë dritën e gjelbër drejtorit sportiv, Igli Tare, për t’i ‘përvjelë mëngët’ dhe për ta nisur punën për ta sjellë mesfushorin kosovar në kryeqytetin italian.

Kreu i klubit Biancocelesti nuk e ka fshehur simpatinë që ndien për përfaqësuesin shqiptar, i cili mund të luajë në mesfushë, por edhe në qendër të mbrojtjes.

“Ia kam dhënë Tares detyrën për ta transferuar në Romë futbollistin shqiptar, i cili mund të jetë i dobishëm në mesfushë dhe në mbrojtje. Kemi nevojë për një lojtar si Cana, i cili është i fortë fizikisht dhe me eksperiencë. Ai kërkohet nga shumë klube, por unë do të isha i lumtur po ta shihja duke luajtur me ne sezonin e ardhshëm”, thotë Lotito për të përditshmen italiane‘Corriere dello Sport’.

Ai është i bindur që në fund Lazio do ta bëjë të vetin mesfushorin e Galatasarayt, i cili me gjasë do të largohet nga Turqia gjatë verës, vetëm pas një viti përvojë në futbollin turk.

“Tare po merret direkt me këtë situatë. Kërkesa është e lartë, por besoj se do ta gjejmë një zgjidhje. Po punojmë intensivisht derisa ta shohim Canën duke luajtur në Lazio”, përfundoi Lotito.

Sipas mediave italiane, Galatasaray nuk e ka ndërmend ta lëshojë 26 vjeçarin për një shumë më të ulët se 8 milionë euro, ndërsa oferta aktuale e Lazios shkon në 5 milionë euro. Në fund, klubet mund ta gjejnë mesin, i cili do t’i linte të kënaqura të dyja palët.

Edhe Interi, pas Canës

Mediat italiane shkruajnë se listës së ekipeve të interesuara për mesfushorin kosovar u është shtuar së fundmi edhe Interi. “Që një kohë, skautët e Interit po e vëzhgojnë lojtarin shqiptar”, shkruan ueb faqja calciomercatoseriea.it.

Përpos Lazios e Interit, për shërbimet e ish futbollistit të PSG, Marseille e Sunderland, ditë më parë janë interesuar edhe Milani, Fulhami e Aston Villa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›