Dënim historik
Dënimi i përjetshëm i Safet Mustafës nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka qenë më i rëndi në histori të basketbollit të pasluftës.
Basketbollisti i Trepçës e pagoi më së shtrenjti incidentin që ndodhi të dielën para ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Bambit, kur ai u përfshi në përleshje dhe u gjet fajtor nga FBK, si iniciator i kësaj ngjarjeje.
Mirëpo, kështu nuk mendon edhe klubi i tij, Trepça, i cili mbetet i zhgënjyer me vendimin e shtëpisë së basketbollit kosovar. ‘Xehetarët’ planifikojnë të ankohen në Federatë për këtë vendim, të cilin ata e konsiderojnë të padrejtë.
“Ne nuk pajtohemi me këtë vendim të Federatës. Ka shumë gjëra të paqarta rreth këtij vendimi. Sigurisht, ne do të bëjmë ankesë në FBK. Nëse ka drejtësi, vendimi duhet të ndryshohet”, theksoi drejtori i Trepçës, Besim Braha.
Dënimin maksimal deri tash e kishte marrë basketbollisti i Pejës, Valdet Grapci, 1 vit moslojë, kurse dënimin e dytë më të rëndë deri tash e kishte vuajtur ish basketbollisti i Prishtinës, i Mabetexit e i Pejës, Florian Miftari, 10 muaj.
Nëse në basketboll ky është rasti i parë, që një lojtari i mohohet e drejta të luajë për jetë, në futbollin kosovar një gjë e tillë kishte ndodhur shumë vite më parë.
Futbollistit të dikurshëm të Gjilanit, Naser Sahiti, një grusht ndaj gjyqtarit i kishte kushtuar me dënim të përjetshëm. Mirëpo, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pas një kohe ia fali këtë dënim dhe futbollisti gjilanas luajti me sukses deri në vitet e fundit me Besën dhe Gjilanin.
Një ‘fat’ i tillë mund ta prekë edhe Mustafën pas një kohe. Një fakt të tillë nuk e përjashtojnë as drejtuesit e shtëpisë së basketbollit kosovar.
“Basketbollisti në fjalë mund ta bëjë ankesën pas gjashtë muajve të dënimit, e më pas, në Kuvend, kuvendarët vendosin për zbutjen apo heqjen e dënimit”, thotë sekretari i FBK-së, Nazmi Paçarada.
Në anën tjetër, Safet Mustafa nuk ndihet fajtor për eksesin. Ai shpreson që drejtuesit e basketbollit kosovar do ta ndryshojnë vendimin dhe të vazhdojë të merret me basketboll.
“Nuk është vendim i drejtë. Unë nuk kam provokuar në atë rast dhe nuk jam iniciator, por kam rënë viktimë e provokimeve. Kurrë në jetën time nuk kam provokuar as si basketbollist. Do të ankohem, besoj se do të më mbështesë edhe klubi dhe ky vendim jam optimist se do të ndryshohet”, deklaroi të martën Mustafa për Express.
23-vjeçari beson fuqishëm se krerët e shtëpisë së basketbollit kosovar do ta ndryshojnë vendimin dhe do ta lejojnë atë që të vazhdojë të luajë basketboll, në të cilin sport Mustafa thotë se ka plane të mëdha.
Më shumë siguri në palestra
Një delegacion i FBK-së, në përbërje Agim Musliu (anëtar i bordit) dhe Nazmi Paçarada (sekretar), të mërkurën pati takim me zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, nënkolonel Naim Rexha dhe kolonel Fahredin Vërbovci.
Në takim u diskutua për gjendjen e sigurisë dhe praninë më të madhe të Policisë së Kosovës (PK) në palestrat ku zhvillohen ndeshjet e basketbollit, me theks të veçantë ato të Bambit.
Mirëpo, zyrtarët e Policisë së Kosovës sugjeruan dhe kërkuan që me rastin e paraqitjes së ndeshjeve, klubet t’ i respektojnë procedurat, të cilat kërkohen nga policia. Në këtë rast paraqitja me kohë e aktiviteteve dhe e ndeshjeve të basketbollit në stacionet përkatëse.
Çdo klub, i cili është nikoqir i ndeshjeve, është i detyruar që së paku 72 orë më herët, me shkresë zyrtare ta paraqesë terminin e ndeshjes dhe rëndësinë e saj në mënyrë që PK të jetë e informuar mirë dhe të ketë kohë të mjaftueshme për t’u organizuar në mënyrën më të mirë për sigurinë adekuate, që kërkohet në ato ndeshje.
FBK kërkon nga klubet nikoqire të ndeshjeve që të respektohen këto procedura rreth paraqitjes së ndeshjeve në stacionet përkatëse të Policisë së Kosovës.