E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo synon trofeun I kemi te gjitha mundesite

Hoze Murinjo nuk kënaqet me pak dhe pas kualifikimit të Realit të Madridit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve sheh më larg, duke synuar trofeun më të rëndësishëm të futbollit evropian për klube.

Madrilenët mundën 1-0 Totenham në ndeshjen e kthimit, ndërsa në raundin e parafundit të Çampions do të përballen me rivalët e përjetshëm të Barcelonës. Murinjo, shprehet se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë të shkojë në finale dhe të fitojë trofeun.

“Nëse nuk fiton, tifozët e kanë të lehtë të harrojnë punën e bërë. Për këtë arsye jemi të kenaqur me kualfikimin në gjysmëfinale, por asgjë nuk ka përfunduar akoma. Objektivi tashmë dihet, ndërsa nuk mendoj se fakti që do të luajmë kundër Barcelonës ndryshon ndonjë gjë”- është shprehur Murinjo, ndërsa skuadra e tij përveçse në Ligën e Kampionëve do të përballet me Barcelonën në kampionat dhe në finalen e Kupës së Mbretit.

Ka pranuar supermacinë e madrilenëve trajneri i Totenham Herri Redknap. Tekniku anglez është shprehur se skuadra e tij e dinte që ishte e pamundur të përmbyste avantazhin 4-0 të Realit.

“Ju e dini se ndeshja ne parë shkoi shumë keq për ne dhe ishte thuajse e paarritshme ideja për të kthyer rezultatin. Mund të them se fati i kësaj ndeshjeje ishte vendosur që pas humbjes në Madrid”- ka përfunduar Redknap, që gjithsesi është i kënaqur me arritjen e Totenham në këtë sezon të Ligës së Kampionëve.

Nertan Prifti
Azhornuar së fundi ( e enjte , 14 prill 2011 )

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›