E Shtunë, 31 Tetor 2026

Louis Slobodkin; Zjarret e frymëzimit në baltë

Vjen në shqip libri i prijëtarit të labirinteve teknike dhe filozofisë së skulpturës, Louis Slobodkan. Një prej librave të tij, të cilësuar si më autoritarët dhe gjithëpërfshirësit mbi krijimin e skulpturës, përkthehet nga skulptorja Irena Buzi. “Skulptura, parimet dhe praktika”, është libri i dytë, që na sjell skulptorja Buzi, mbi didaktikën e skulpturës, duke shërbyer si ndriçim për studentët që duan të udhëhiqen nga teknika dhe metoda, thellësisht profesionale si dhe nga logjika estetika. Në shënimin që “School Arts” në Nju Jork i ka bërë librit të Slobodkin, thuhet se ndryshe nga udhëzuesit mësimorë nga njerëz, të cilët kurrë nuk i kanë ngjyer gishtat me baltë, ky libër është akumulim i shumë viteve dituri dhe përvojë praktike nga një skulptor i njohur amerikan dhe instruktor arti.

“Nuk ka formula të gatshme. As helikopterë modernë ose anije kozmike që mund të pengojnë një fillestar mbi malet teknike të skulpturës. Me gjithë ajrin e kompresuar dhe makinat elektrike të gdhendjes që çajnë përmes një guri, me gjithë dredhinë dhe pajisjet mekanike të shpikura për gdhendje, me gjithë materialet që gdhenden, derdhen, lustrohen, me të cilat skulpturat bëhen, ende nuk gjendet asgjë, e cila të prodhojë cilësitë, të cilat ne i njohim si skulpturë e mirë. Makineritë e përdorura për prodhimin të këtyre cilësive janë tamam të vjetruara (aq të vjetra sa shpirti i njeriut) dhe ato ekzistojnë aty ku gjithmonë janë rritur dhe mprehur - në mendjen dhe në zemrën e njeriut”, - do të të bindte kjo fjali e Louis Slobodkin për të hedhur në analet e një libri bazë që inkurajon të rinjtë e pasionuar pas skulpturës.

Pikërisht skulptori, kritiku, studiuesi dhe mbi të gjitha mësuesi Slobodkin bëhet kështu një prijëtar i labirinteve teknike të skulpturës. Një prej librave të tij, të cilësuar si më autoritarët dhe gjithëpërfshirësit mbi krijimin e skulpturës, vjen në shqip i përkthyer nga skulptorja, Irena Buzi. “Skulptura, parimet dhe praktika” është libri i dytë, që na sjell skulptorja Buzi, mbi didaktikën e skulpturës duke shërbyer si ndriçim për studentët që duan të udhëhiqen nga teknika dhe metoda, thellësisht profesionale si dhe nga logjika estetika.

Në shënimin që “School Arts” në Nju Jork i ka bërë librit të Slobodkin, thuhet se ndryshe nga udhëzuesit mësimorë nga njerëz, të cilët kurrë nuk i kanë ngjyer gishtat me baltë, ky libër është akumulim i shumë viteve dituri dhe përvojë praktike nga një skulptor i njohur amerikan dhe instruktor arti.

Louis Slobodkin, i lindur në 19 shkurt 1903, në Albany, Nju Jork, ishte skulptor, autor dhe ilustrator i shumë librave për fëmijë. Kreu Institutin e Arteve të Bukura në qytetin e Nju Jorkut, nga viti 1918, deri në vitin 1923. Ai arriti kulmin e famës së tij si skulptor në vitet ‘30-‘40 dhe u bë shefi i departamentit të skulpturës së Projektit të Artit të qytetit të Nju Jorkut. Dha kontribut me statuja dhe relieve për ndërtesat qeveritare në Uashington, Nju Jork dhe qytete të tjera.

Slobodkin në librin “Skulptura, parimet dhe praktika” jep bazat e artit duke mos lënë fushë pa mbuluar. Ai, përveç arsyes estetike, nga ndjek parimet e tij, këshillon fillestarët se si duhet të shkojnë drejt skulpturës, anët teknike, proceset hap pas hapi, duke nisur që nga format më të thjeshta dhe deri te më të ndërlikuarat të përdorura për krijimin e figurave njerëzore, portreteve, basorelieveve dhe formave të tjera të skulpturës.

“Ka shumë shtigje të ndërlikuara, të cilat udhëheqin fillestarin e humbur dhe humbjen e kohës së tij, Disa prej këtyre shtigjeve shkojnë drejt një rruge pa krye në labirintet teknike. Jam përpjekur t’i shmang ato dhe t’i veçoj, duke i zëvendësuar me një metodë më të thjeshtë dhe më të drejtpërdrejtë”, - shkruan Slobodkin.

Sinqeriteti i skulptorit e shtyn të rrëfejë gjithë vrullin e brendshëm shpirtëror që e ka shtyrë për të rikujtuar, dhe për ta sjellë në këtë botim, çfarë problemesh kryesore i përkisnin dhe atij vetë, miqve të tij dhe studentëve shumë kohë më parë që kishin lidhje me kohën, teknikën dhe përvojën e skulpturës gjatë përparimit.

“Unë e di këto probleme të njëjta përherë kanë sfilitur pa reshtur gjithë skulptorët fillestarë. Nuk kam marrë gjë si të gatshme. Hamendësoj lexuesin thellësisht të interesuar në lidhje me zhvillimin e njohurive të tij për skulpturën dhe teknikave të saj”. Kur ishte fillestar, Slobodkin kujton se ishte një nxënës i etshëm, me dëshirën për të filluar udhëtimin e gjatë, tepër të këndshëm, në malet e teknikave që ndan një dëshirë të çiltër për të kuptuar dhe bërë skulpturë nga aftësia teknike dhe njohuria që dikush duhet të ketë për të përmbushur atë dëshirë.

Ky libër fillon me problemet më të thjeshta që ekzistojnë në skulpturë dhe vazhdojnë të radhitura kronologjikisht me shumë ndërlikime teknike dhe teorike, me të cilat përballet edhe një skulptor me përvojë. “Një skulpturë e filluar siç duhet, zhvillohet mirë me anë të këmbënguljes dhe përpjekjes së çiltër që puna kërkon dhe përfundohet. Zakoni më i rrezikshëm që ndonjë skulptor synues mund të të mësojë është të shtrijë një sipërfaqe të llakosur, një shtresë të mbaruar, mbi mungesën e përvojës dhe të zhvillimit të tij. Ai është një zakon që nuk thyhet lehtë”, - shkruan në mbresat e tij për këtë libër Slobodkin, duke na ardhur në shqisën e një skulptori fillestar deri në skalitjen e përvojës dhe shndërrimin e tij në një mësues i jashtëzakonshëm për fillestarët. “Instruksioni dhe vlerësimi bëhen njësh në këtë libër”, - thuhet në shënimin e “School Arts”.

Ndërsa vetë Slobodkin, duke përfshirë modestinë dhe ironinë e profesionistit, thotë se në këtë libër nuk gjendet një metodë se si një skulptor do të shpërthente, gdhendte dhe shkatërronte një mal për të bërë një monument, ose të derdhë një bronz më të lartë se Statuja e Lirisë. “Ndërkaq një skulptor është i pajisur për të krijuar të tilla madhështi, për të cilat s’do të kishte nevojë për udhëzime ose këshilla nga ky libër, ose nga ndonjë libër tjetër. Prandaj kam kufizuar vizatimet dhe shpjegimet e mia për praktikat dhe problemet e zakonshme, që mund të përballen studentët”.

Slobodkin i kushton rëndësi edhe logjikës, estetikës, individualitetit dhe temperamentit që duhet të zhvillohen tek studentët. “Konservimi i individualitetit të artistit, përpjekja e tij për të realizuar dhe shprehur emocionet e brendshme nuk i përket fillestarit. Para se të përpiqet për të përdorur zërin e tij që të pohojë veten, ai duhet të dijë alfabetin e artit. Ai duhet të përvetësojë fjalorin e tij të artit ose për ndryshe prodhon kodin fillestar”. Duke rrëmuar pak baltë ose gërvishtur mbi sipërfaqen e një guri nuk krijohet një vepër e madhe skulpture-është një aksiomë e fuqishme e Slobodkin për studentët, por njëkohësisht nxit individualitetin e të riut krijues, si nevojë për të zotëruar zejen e baltës, duke e përmbyllur me fjalinë: “Mos u ngecni në kufizimin e ngurtë të një stili personal deri sa të keni arritur njëfarë maturie – jo deri sa të ndjeni njëfarë zotësie dhe të kuptuarit të parimeve estetike dhe praktikës të cilat krijojnë”.

Box gri

Po për temperamentin artistik dhe zjarret e frymëzimit?

Louis Slobodkin

Termi “temperamenti artistik” është përfolur e keqpërdorur aq gjerësisht sa që është bërë sinonim për sharlatanizmin, shfajësim për përtacinë dhe barasvlerë për shthurjen. Ende temperamenti artistik është një lëngatë e ndershme që me raste i shkakton vuajtje fillestarit.

Natyrisht, temperamenti i skulptorit zakonisht është më i përmbajtur se sa ai i një mexosopranoje. Primadona operistike duhet të vendosë që të shfaqet me më të mirën e saj në orën 21:1, në ndonjë të martë të posaçme në mars. Ajo mund të bëhej me ankth, të nervozohej dhe të trembej për vdekje, nëse kurrë nuk do të arrinte në lartësinë C të cilën e kishte praktikuar për muaj të tërë në arie ose në diçka të ngjashme. Pra, ka një shpërthim temperamenti, mënyra të këqija dhe dhunë që trondit shtëpinë e vjetër të operës në themelin e saj - dhe ai quhet temperament artistik.

Ka shfaqje të tjera të kësaj lëngate. Ka forma të tjera që ajo merr dëshpërim të thellë, ndjesi të humbjes së shpresës. Shpërthimi i temperamentit artistik mund të shkaktohet për arsye të çiltërsisë së natyrshme të artistit krijues. Përpjekja e sinqertë krijon shpesh e torturon krijuesin. Pavarësisht nga përdorimi i materialeve dhe veglave më fine, teknikës më të mirë të zotëruar prej tij dhe gjithë logjikës së tij estetike, asnjë artist nuk mund të hyjë dorëzanë që vepra e tij e re do të arrijë në standardet e cilësisë që ka vetëvendosur. Në të kundërtën, shpesh ndodh që duke punuar në kushte të papërshtatshme me materiale të këqija, vegla të thyera dhe teknikë të rëndomtë, artisti ka realizuar veprën e tij më të rëndësishme.

Madje dhe cilësitë e mjeshtrave të mëdhenj luhaten, tanimë duke arritur kulmet pas çdo vepre që kanë krijuar ndonjëherë, pas kësaj kridhen prapë në realizimin më të zakonshëm. Sezani, piktori i madh, “temperamentin” e shpjegoi si kuptimin e zjarrit të brendshëm, forcën që nxit artistin për të krijuar dhe realizuar me mjetin e tij emocionet më të thella. Kritika e tij më e ashpër për ndonjë prej bashkëkohësve të tij të talentuar ishte të thoshte se një artisti të caktuar i mungonte “temperamenti”. Sezani ishte i njohur për të mos kontrolluar shpërthimet e temperamentit të tij, duke i copëtuar në rripa kanavacat e tij të përfunduara.

Di që një skulptor i talentuar, i cili pas punës tremujore mbi një gdhendje graniti e bëri copë e çikë atë me vare.

Temperamenti artistik i skulptorëve, si rregull i përgjithshëm është i një lloji të ftohtë. Zjarret e brendshme duhet të digjen njëtrajtësisht, shpeshherë për vite, për të kryer një ide skulpture.

Edhe sikur të mos gjendet mënyrë që të mund të çmohet cilësia e punimit të dikujt, e ndjej kur puna ime duket se më rrëshqet nga duart dhe jam i mbushur me ngazëllim në atë çka duket të jetë zhdërvjelltësia dhe përfundimet e mia të shkëlqyera estetike; kur e shijoj punën time në ditët që pasojnë- e kuptoj se nuk kam krijuar asnjë gjë. Më shpesh, kur puna ecën me vështirësi dhe e gjej veten duke u përpjekur me dëshpërim, bile për pak cilësi, vepra duket të ketë përparuar, pasi e rishikoj më vonë.

Shumë është thënë për frymëzimin, pjesën më të madhe të pakapshme të të gjithë elementëve që futet në kryerjen e një vepre arti: Një vepër arti e pafrymëzuar, burimet e frymëzimit në një vepër arti-përpjekjet frymëzuese krijuese, e kështu më radhë.

Por çfarë është frymëzimi? A mund të veçohet dhe shqyrtohet ky element thelbësor estetik?

Ndihmesa ime në këtë diskutim drejtohet te skulptori fillestar. Frymëzimi të cilin na e tregon fjalori është: 1. veprimi ose procesi i të marrurit frymë, 2. ndikimi krijues i gjeniut, 3. ndikimi krijues i gjeniut, 3. ndikimi i pakapshëm që rrjedh nga lidhja me mendjet e mëdha dhe peizazhin...

Kjo nuk të ndihmon shumë. Por këto tre interpretime mund të japin njëfarë ndih me. Frymëzimi, sipas meje, në lidhje me një vepër arti është shkëndija, e parë që vë në lëvizje një koncept ekzistues artistik. Pastaj përmes lidhjeve shkak-pasojë të logjikës estetike dhe kryerjes teknike lind një vepër arti.

Por piktori fillestar duhet t’i mbledhë zjarret e tij të frymëzimit e t’i lërë mënjanë ato. Ka aq shumë logjikë estetike e formim teknik që atij i nevojitet. Por ai nuk duhet të lërë pas dore përvetësimin e materialit, me aq sa mundet, e cili do t’i shërbejë si burim frymëzimi. Formimi i tij, shkon drejt ditës, kur ai një artist i pjekur mund të hapë rubinetin e frymëzimit për kërkesat që ka!

Merrni parasysh atë frazë “të hapë rubinetin e frymëzimit për kërkesa që ka” dhe mos u tronditni prej saj. Arti më i madh i botës u krijua mbi nevojën dhe artistët më të mëdhenj të botës hapën rubinetët e tyre.

“Zoti Fidia,” dikush (ai mund të ketë qenë Perikliu) i tha një ditë, “shko dhe mendo si projektohet dhe krijohet një Partenon për pesëmbëdhjetë ose njëzetë vitet që vijnë”.

Ose dikush tjetër mund të ketë thënë “Leonardo Da Vinçi, pikturo “Darkën e Fundit””.

Si njëri si tjetri prej këtyre artistëve ishin porositur (urdhëruar) për të krijuar artin e tyre të madh dhe ata e bënë atë. Kjo është e vërteta ep unëve më të rëndësishme të Mikelanxhelos, Donatelos, Fra Anxhelikos, El Grekos dhe pjesës së mbetur të skulptorëve dhe piktorëve të mëdhenj të periudhës së Rilindjes (rastësisht Fra Anxheliko kërkoi si pagesë aq shumë për një kokë shenjti, sa për dy, aq shumë për panelin e një shenjti me një dorë të shfaqur dhe prapë sa për dy, aq shumë nëse përdorte blu kobalti... ka dëshmi të dokumentuara për këtë). Dhe po ashtu muzika dhe poezia e madhe u krijuan nga nevoja. Uvertura e Egmontit e Bethovenit u porosit. Hendeli u porosit të kompozonte Largon e tij të madhe. Ata ishin të gjithë artistë të stërvitur dhe ishin ushtruar për të hapur rubinetin e frymëzimit për nevojat. Natyrisht këta artistë ishin njerëz të lirë (relativisht). Ata mund të mos kenë pranuar për të punuar nga nevoja, por ne i falënderojmë shumë që ata nuk e bënë këtë. Por pa dyshim arti i krijuar në periudhat më të hershme të ndritura të artit u krijua nga nevoja.

Skulptura më e mrekullueshme që bota njeh, egjiptiane, kineze, greke e hershme, gotike, hinduse dhe gjithë të tjerat ishte frymëzuar, kompozuar dhe kryer nga nevoja. Jo vetëm që ajo ishte e vërtetë, por edhe subjekti, stili, metoda e materiali ishin të paracaktuara . Faraonët, Sfinksat, Budat, Perënditë greke, Trinia e Shenjtë, Apostujt dhe Profetët, Vishnutë urdhëronin-asnjë prej atyre skulptorëve nuk mund të krihte flokët me gishta dhe të thoshte, “jo , sot nuk mund të ndihem i frymëzuar për të bërë një Faraon, Sfinks.... e kështu me radhë”.

Në ditët tona këto kushte nuk eksitojnë. Por skulptori fillestar duhet të ushtrohet, me qëllim që ai të mund të punojë sikur bënin ata. Dhe duhet të grumbullojë, në vetvete burimet e frymëzimit në mënyrë që ai, gjithashtu, të mund të hapë rubinetin e tij të frymëzimit për kërkesën që ka. Ushtrohuni me probleme estetike, duke kërkuar prej formave dhe ideve tuaja, të cilat duhet t’i krijoni në skulpturë.

Më poshtë vijon një formulim i fundit mbi frymëzimin. Shumë kohë më parë një skulptor i vjetër më tha: “Prite frymëzimin me një vegël skulpture në dorë”.

Mendohu për këtë!

Përktheu: Irena Buzi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›