E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi; Opozita falsifikoi dokumentin tim



Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, akuzoi dje opozitën për shpifje, duke hedhur poshtë pretendimet e PS-së, sipas të cilave, në kohën kur ka qenë ministër Drejtësie, ka lëshuar një shkresë zyrtare e cila favorizonte Shkëlzen Berishën në çështjen “Gërdeci”. Sipas Bumçit, shkresa për të cilën opozita thotë se posedon, është një falsifikim i turpshëm. Z. Bumçi siguroi se në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, asnjëherë nuk ka lëshuar shkresë zyrtare për një person përveçse për institucione shtetërore. Sipas Bumçit, deklarata të tilla janë dëshmi flagrante e interesit të opozitës që ka bërë këtë falsifikim për të manipuluar hetimin e kësaj çështjeje. Ai vërejti se kjo është koha kur të gjithë presin të hetohet dhe zbardhet tragjedia e Gërdecit, ndërsa opozita po tregon se kërkon manipulimin politik. “Gjatë kohës që kam shërbyer në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, u jam drejtuar vetëm institucioneve shtetërore dhe në asnjë rast personave privatë. As vetë, as nëpërmjet ndonjë vartësi nuk kam dërguar shkresë drejtuar z. Shkëlzen Berisha”, - theksoi z. Bumçi. Sipas tij, “çdo shkrim me dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk është i ministrit të Drejtësisë, gjë që vërtetohet shumë thjesht nga verifikimi i kaligrafisë dhe se në Arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument që të përmbajë shënimin në fjalë”. Gjatë seancës së fundit parlamentare, deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Taulant Balla, akuzuan ish-ministrin Aldo Bumçi se ka firmosur dhe përcjellë shkresa për z. Shkëlzen Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›