E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj-Mantovano; Të dënuarit shqiptarë në Itali, transferim për në Shqipëri

Të gjithë shqiptarët që ndodhen në burgjet italiane dhe dëshirojnë që dënimin e marrë ta vuajnë në burgjet e shtetit shqiptar, për të qenë më pranë familjeve, do kenë mundësi që të kërkojnë transferimin për në Shqipëri. Por, një transferim i tillë do të ndodhë edhe për të dënuarit italianë që ndodhen në burgjet shqiptare dhe do shprehin dëshirën për t’u transferuar në burgjet italiane, me qëllim për të qenë më pranë familjeve të tyre. Një fakt i tillë është bërë i ditur dje nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pas një takimi që pati me zv.ministrin e Brendshëm të Italisë, Alfredo Mantovano. Gjithashtu, gjatë takimit që zgjati për më tepër se gjysmë ore, është rënë dakord që shteti ynë të ekzekutojë të gjitha vendimet e dhëna nga gjykatat italiane për shtetasit shqiptarë që kanë kryer vepra penale në Itali dhe janë dënuar në mungesë, pasi kanë mundur t’i shpëtojnë arrestimit të policisë. Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, shprehu vullnetin politik të shtetit shqiptar në lidhje me njohjen e vendimeve penale të gjykatës italiane, dhënë ndaj shtetasve shqiptare që i janë shmangur drejtësisë, si dhe transferimin e tyre. Aktualisht, sipas burimeve, janë rreth 128 vendime penale të dhëna nga gjykata italiane për shtetasit shqiptarë që i janë shmangur drejtësisë. Ky është një akt sinjifikativ që rrit bashkëpunimin mes vendeve dhe rrit shanset për akordimin e ndonjë ndihme prej qeverisë së re italiane. Një gjë e tillë, sipas Alibeajt e Mantovano-s, do të sjellë rritje të nivelit të bashkëpunimit mes dy shteteve. Në të njëjtën kohë synohet luftë e përbashkët ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, pasi siç theksoi z. Mantovano, “krimi nuk njeh kufij dhe ne si shtete në këtë luftë do bashkëpunojmë për ta luftuar, duke mos njohur kufij”. Zëvendësministri i Brendshëm në shtetin fqinj u shpreh se ishte dëshmitar i përpjekjeve që janë bërë nga qeveria, për të ndalur trafikun e qenieve njerëzore, i cili duhet të dallohet nga kalimi klandestin. Gjithashtu, gjatë takimit mësohet se nga z. Laudati propozoi emërimin e një gjyqtari ndërlidhës (Judice del Collegamento), i cili të punojë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Italisë për një periudhë të përkohshme kohe, përkatësisht 6 muaj, shpenzimet e të cilit të mbulohen nga kjo ministri, me qëllim rritjen e eficencës së bashkëpunimit mes dy institucioneve të drejtësisë.

Takimi

Ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, zhvilloi dje një takim me nënsekretarin e Brendshëm italian, z. Alfredo Mantovan, i shoqëruar, nga ambasadori italian, Saba D’Elia, z. Antonio Laudati, drejtor i Përgjithshëm i Drejtësisë Penale pranë Ministrisë se Drejtësisë dhe autoritete të tjera të drejtësisë. Biseda e suksesshme mes dy personaliteteve u përqendrua rreth marrëdhënieve midis dy vendeve tona në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, ekzekutimit të vendimeve të gjykatave italiane për shtetasit shqiptarë që i kanë shpëtuar drejtësisë italiane, rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogave në kuadër të bashkëpunimit dhe të krijimit të njësive të përbashkëta hetimore, si dhe ratifikimit të marrëveshjes bilaterale “Marrëveshja Shtese e Konventës Evropiane të Ekstradimit dhe e Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Gjyqësore në Fushën Penale”, të firmosur tashmë mes shteteve. “Para disa vitesh Italia ka qenë destinacioni kryesor i zbarkimit të klandestinëve në brigjet e saj. E them me kënaqësi që këto vitet e fundit nuk vihen re këto fenomene. Jam dëshmitar dhe këtu flas jo vetëm si eksponent i qeverisë italiane, për përpjekjet që ka bërë qeveria shqiptare për luftuar trafikun e qenieve njerëzore. Unë shoh një vendosmëri të qeverisë shqiptare në këtë drejtim” - u shpreh nënsekretari i Brendshëm italian, z. Alfredo Mantovano. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, garantoi “maksimumin e zellshmërisë të shtetit shqiptar, strukturat e tij qoftë ato qeveritare, qoftë ato të pavarura, do të ndërmarrin për të krijuar dhe për të dhënë jo vetëm imazhin e partnerit të denjë në këto marrëdhënie, por edhe të krijimit të një marrëdhënieje që do të vazhdojë gjatë në kohë, që do të jetë gjithmonë edhe më e perfeksionuar, për t’i dhënë jo vetëm imazhin, por edhe sinjalin e qartë fenomenit kriminal që në mes dy vendeve tona ka vetëm një kufi, i cili është thjesht dhe vetëm formal dhe që nuk do të gjejnë asnjë mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë, si asaj italiane, por dhe asaj shqiptare”.

Marrëveshja

Shqipëria dhe Italia nënshkruan dje Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar. Ky hap shënon plotësimin e kushtit për autoritetet shqiptare që aspirojnë afrimin e rrugës drejt BE-së. Protokolli i Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Italisë mbështetet në marrëveshjen përkatëse mes dy vendeve dhe në Marrëveshjen për Ripranimin e Personave me Qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, nënshkruar në Luksemburg, më 14 prill 2005. Mantovano e cilësoi ndërkohë nënshkrimin e Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar, një dëshmi të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve.

Nishani-Mantovano

Rritet numri i të arrestuarve që fshiheshin në Shqipëri, shqiptarë e italianë

Para nënshkrimit të këtij protokolli, përfaqësuesi i palës italiane, z. Alfredo Mantovano, nënsekretar në Ministrinë e Brendshme të Italisë, u prit në një takim të veçantë nga ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani. Në këtë takim, ministri Nishani i paraqiti nënsekretarit Mantovano disa nga arritjet kryesore të qeverisë shqiptare dhe posaçërisht të strukturave të zbatimit të ligjit, në luftën kundër kriminalitetit, në veçanti atij të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Ministri i Brendshëm vlerësoi se një rol të rëndësishëm për këto arritje ka edhe niveli i lartë i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e zbatimit të ligjit dhe policinë italiane. Ministri Nishani informoi gjithashtu për ecurinë e projektit madhor të qeverisë shqiptare për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike, si dhe në përpjekjet që po bën qeveria dhe strukturat policore për forcimin e mëtejshëm të sigurisë së kufijve dhe realizimin e të gjitha aspekteve të plan-veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve. Nënsekretari i Ministrisë së Brendshme të Italisë, z. Alfredo Mantovano, vlerësoi hapat e rëndësishëm të Shqipërisë si në drejtim të zhvillimit social-ekonomik, edhe në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. “Italia kohë më parë përballej me fluksin e madh të klandestinëve në kanalin e Otrantos, ndërsa sot është dëshmitare e përpjekjeve të qeverisë shqiptare që e kanë bllokuar këtë trafik”, - deklaroi z. Mantovano. Pas këtij takimi vijoi ceremonia e nënshkrimit të Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me qëndrim të paautorizuar mes Shqipërisë dhe Italisë nga zv.ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe nënsekretari i Ministrisë së Brendshme të Italisë, Alfredo Mantovano. Zv.ministri Strazimiri evidentoi faktin e bashkëpunimit të suksesshëm të strukturave italiane dhe shqiptare të zbatimit të ligjit, si dhe theksoi qëndrimin e pandryshueshëm për tolerancë zero ndaj veprimtarive kriminale, për të mos lënë asnjë skutë të sigurt në të dyja anët e Adriatikut për elementët kriminalë, qofshin shqiptarë apo italianë. Një marrëveshje e nënshkruar një vit më parë solli rritjen e ndjeshme të personave të arrestuar, shqiptarë apo italianë, të cilët kishin gjetur strehim në Shqipëri për t’i shpëtuar drejtësisë italiane. Nënsekretari Mantovano vlerësoi edhe njëherë sukseset e strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale e duke u ndalur tek aspekti i trafikimit të drogës, të cilit po i bashkohet edhe krimi i falsifikimit, deklaroi se edhe në këtë drejtim Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe ka rezultate të dukshme e konkrete.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›