Low: E pakuptueshme shitja e Ozil nga Reali

Largimi i Mesut Ozil nga Reali i Madridit nuk vazhdon të krijojë pikëpyetje vetëm mes tifozëve “merengues” sepse shitja e tij te Arsenali cilësohet e pakuptueshme edhe nga trajneri i kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low. 24-vjeçari u transferua në Londër për 50 milionë Euro, por tekniku teuton nuk arrin të gjejë një përgjigje për këtë veprim.
“Për mua është e pakuptueshme që Reali i Madridit largoi një nga lojtarët më të mirë me cilësi të larta teknike dhe shumë vendimtar për ekipin. Në këto momente Mesut ka nevojë të ndiejë gjithë besimin e trajnerit”.
Gjithsesi, Low nuk dëshiron që mesfushori ta vuajë largimin nga Madridi, duke thurur elozhe edhe për ekipin e tij të ri.
“Nga ajo që kam dëgjuar përpara transferimit të tij, ai nuk kishte mbështetjen maksimale në Madrid dhe dua të theksoj se Arsenali bëri një goditje të madhe me blerjen e tij. Londinezët kanë një skuadër shumë teknike dhe në këtë aspekt Ozil do të rritet edhe më shumë si lojtar, çka I duhet në këto momente kombëtares”.
Ozil u bashkua me kombëtaren e Gjermanisë në vitin 2009 ku është aktivizuar 47 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola..Supersport.al