E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku dhe Basha: Të dalim me pikë nga transfertë sllovene

Bulku-BashaNga Gjergj Vyshka

Deklarata e mesfushorit të Sepahanit: Nëse nuk marrim gjashtë pikë në këto dy ndeshje dhe nuk arrijmë të ruajmë vendin e dytë në grup, atëherë do të thotë se nuk kemi bërë asgjë në këto kualifikuese të këtij Botërori

Ervin Bulku dhe Migjen Basha, të cilët dje në mesditë, në ambientet e Resortit Tropikal, atje ku është e grumbulluar kombëtarja e Shqipërisë për dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e Kampionatit Botëror Brazil 2014, ndaj Sllovenisë dhe Islandës, kanë qenë në një mendim të përbashkët: Të dalim me pikë nga këto dy transferta. E vërteta është se situata te kuqezinjtë, jo vetëm për shkak të dëmtimeve, apo dhe lojtarëve të munguar, por dhe për shkak të atyre që ende nuk e kanë marrë viston nga FIFA për të luajtur me Shqipërinë, apo dhe atyre që rrezikojnë të skualifikohen për shkak të kartonëe (janë gjashtë që rrezikojnë), nuk është optimale. Megjithatë te skuadra e De Biazit, që në fakt ka bërë të njëjtën gjë si dhe bashkatdhetari i tij i Italisë, Çezare Prandeli, që për Bullgarinë dhe Republikën Çeke ka marrë po 28 futbollistë, reparti më i populluar është mesfusha.

Madje, sipas të gjitha gjasave, me prurjet e reja në formacionin kuqezi, teksa ka edhe lojtarë që do të luajnë zyrtarisht për herë të parë për Shqipërinë, është rritur dhe konkurrenca në këtë repart. Dhe si për të besuar që është reparti më i populluar i kuqezinjve, apo dhe që ka më shumë titullarë në formacionin kuqezi, De Biazi dje ka nxjerrë para gazetarëve sportiv dy mesfushorë të spikatur. Bëhet fjalë për Ervin Bulkun dhe Migjen Bashën, dy mesfushorët e qendrës kuqezi, në një kohë që mendohet dhe parashikohet që Rama të jetë majtas e Roshi ose Lila në të djathtë. Për të dy mesfushorët kuqezinjtë kanë vetëm një objektiv: Marrja e pikëve maksimale në të dy transferuat

Bulku: Pa pikë zhvlerësojmë gjithçka

Nuk duhet të tregohemi euforikë, pasi jemi në një pikë delikate dhe nëse nuk zhvillojmë një lojë si në ndeshjet e mëparshme, do të ishte e kotë të shpresonim për të arritur vendin e dytë në grup, apo dhe kualifikimin për në Botëror, thotë Bulku. Kështu e ka nisur deklaratën e tij mesfushori 32-vjeçar i Sepahanit, Ervin Bulku, i cili falë përvojës së tij të gjatë të të luajturit jo vetëm në kombëtare, kjo në të gjitha nivelet e mundshme, por dhe në kampionatet e tjera, e di fare mirë se të tilla transfertë kanë nevojë për një karikim ndryshe.

Ajo që duhet përmendur është fakti se Sllovenia, të paktën në dy ndeshje që janë luajtur në Lubjanë, më 1999 2-0 dhe më 2007 0-0, nuk është se ka qenë e lehtë për tanët. Nëse nga këto dy transferta thotë Bulku nuk arrijmë të marrim gjashtë pikë, atëherë zhvlerësojmë gjithçka që kemi bërë deri më tani. Sigurisht që nuk jemi në kushte optimal, sepse mungesa e Mavrajt në qendër të mbrojtjes është një problem më vete. Megjithatë skuadra ka lojtarë për ta zëvëndësuar, por ajo që duhet të bëjmë është se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Edhe në ndeshjen që kemi pasur me Slloveninë në Tiranë, të cilën e kemi fituar minimalisht 1-0, përsëri kemi hasur vështirësi. Megjithëse na nderoi një gol i Roshit. Unë shpresoj shumë që ta nxjerrim me sukses këtë ndeshje, ka theksuar Bulku.

Basha më i prerë: Marrim pikë dhe në Islandë

Edhe për mesfushorin tjetër, Migjen Basha, i cili në dy javë kampionati në Serinë A me Torinon ka luajtur si zëvëndësues ndaj Sasuolos dhe si titullar ndaj Torinos, mungesa e Mavrajt në mbrojtjen kuqezi është një problem i madh për të gjithë. Madje, përpara se të flasë për Slloveninë, ai e kujton mirë sfidën ndaj Islandës në Tiranë, atje ku duhet të ishte edhe ndeshja e tij e parë si kuqezi. Pasi Shqipëria u mund 2-1. Megjithatë thotë Basha transferta e Rejkjavikut, katër ditë më vonë se sa Lubjana, është rasti më i mirë për ta hequr atë shije të hidhur të asaj humbje të papritur në Qemal Stafa. Por që ta bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi moral për ta kërkuar, duhet ta nxjerrim me sukses sfidën në Slloveni.

Unë jam optimist që, përtej mungesave, me lojën që kemi zhvilluar deri më tani, parë këtu dhe miqësoren e 14 gushtit ndaj Armenisë në Tiranë, ne do ta nxjerrim me sukses këtë sfidë. Nuk do të jetë e lehtë, por jo krejtësisht e pamundur. Ndërkohë që De Biazi do të ketë vështirësi të tjera, teksa katër futbollistë, të ardhur rishtaz në ekipin tonë kombëtar, pikërisht Abrashi, Vullnet Basha, Mehmeti dhe Gashi nuk mund të luajnë pa lejen e FIFA-s, sepse janë aktivizuar me kombëtare të tjera. Gjithsesi, të gjithë besojnë se këto ndeshje do të nxirren me sukses nga kuqezinjtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›