Andjelkoviç në spital,në dyshim ndaj kuqezinjve
Mbrojtësi slloven përplaset me shokun Novakoviç, përfundon në spital. Mjekët: Nuk është e rëndë
Kombëtarja sllovene dhe tifozët janë në ankth për gjendjen e mbrojtësit Sinisha Andjelkoviç. Gjatë seancës stërvitore që tekniku Katanec kishte përgatitur për lojtarët e tij ndodhi një përplasje shumë e fortë, ku 27-vjeçari Andjelkoviç pësoi lëndime në kraharor. Për shkak të goditjes së rëndë që mori nga shoku i tij Novakoviç, mbrojtësi i Modenës ka braktisur stërvitjen dhe ka shkuar menjëherë në spital.
Ai kishte vështirësi në frymëmarrje. Pas disa orësh vizita dhe analiza të detajuara, mbrojtësi ka lënë spitalin por nuk iu është bashkuar shokëve të skuadrës. Ende nuk dihet nëse ai do të jetë i gatshëm ndaj Shqipërisë, por sipas testeve mjekësore situate nuk është e rëndë. Matjaz Vogrin është mjeku që ndoqi nga afër situatën e lojtarit dhe tha se ai ndien dhimbje të forta. Goditja që mori ishte e fortë, por situata është nën kontroll. Ndoshta nesër do të rikthehet në stërvitje, por duhet të presim, tha mjeku i përfaqësues sllovene.
Jokiç, ende shqetësim
Bojan Jokiç vazhdon të shqetësojë akoma kampin slloven. Edhe pse është i grumbulluar mund të mos rikuperohet plotësisht për të qenë i gatshëm ndaj Shqipërisë. Ai ka nisur stërvitjen e diferencuar dhe po vrapon kundër kohës…
Handanoviç tremb
Të gjithë u shqetësuan për ardhjen me vonesë të portierit të Interit, Samir Handanoviç, por asgjë nuk ishte ashtu siç u mendua. Numri një i portës sllovene mungoi në stërvitjen që ekipi kombëtar slloven zhvilloi paraditen e djeshme, por jo për arsye shëndetërore. Ai kishte zgjidhur disa çështjet e tij personale dhe më vonë ishte bashkuar me ekipin. Mungesa e Handanoviç do të ishte një goditje e madhe për Slloveninë pasi ai është një nga shtyllat kryesore të ekipit. Momenti që po kalon tek Interi siguron shumë teknikun Katanec, por shqiptarët nuk i tremben aspak pasi e mundën një herë.
