E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Gërdeci do ndikojë në marrëdhëniet tona me SHBA

Ish-kryeministri Pandeli Majko e sheh acarimin e marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve të lidhur me ngjarjen tragjike të Gërdecit. 

Në një prononcim për median, Majko shprehet se: “Kjo ngjarje do të rëndojë në logjikën e marrëdhënieve me SHBA-në”. Ai mbështet qëndrimin e SHBA-së për deformimin e institucioneve në vend. “Ngjarja e Gërdecit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në Shqipëri pas ngjarjeve të ’97-ës dhe ka ndikuar shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Në këtë mënyrë, patjetër që kjo ngjarje do të ndikonte tek ndërkombëtarët dhe prandaj gjërat nuk mund të shikohen pa dorashka”, deklaroi deputeti socialist. Majko shton se, “një kritikë e tillë e SHBA-së cenon shumë imazhin e Shqipërisë pasi elementet e kritikës janë të rënda, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Qeverisë me Presidentin dhe Prokurorinë e Përgjithshme”. “Problemi është në sensin e kritikave dhe që ato shfaqen si alarm më shumë se kritika”, theksoi Majko. Ky ka qenë reagimi i parë i opozitës në lidhje me deklarimet e ndërkombëtarëve për disa nga zhvillimet më të fundit në Shqipëri, pas ngjarjes tragjike të Gërdecit. Pas kësaj ngjarjeje, edhe pse publikisht është thënë se një ngjarje e tillë nuk do të rëndojë, ndërkombëtarët e shohin me skepticizëm mënyrën se si po vepron qeveria shqiptare në krijimin e marrëdhënieve me institucionet e tjera të pavarura, veçanërisht me ato të sistemit të drejtësisë. Shqipëria pret që në samitin e ardhshëm të NATO-s, që pritet të mbahet në fillim të vitit 2009. Por duket se pas pozicionimeve jo pozitive të ndërkombëtarëve ndaj Tiranës zyrtare, një gjë e tillë mund të shtyhet, ose mund të realizohet vetëm pas plotësimit të disa kushteve nga qeveria shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›