Pollo shtyn afatet e tenderit paralel me atë që ka fituar Bashkim Ulaj nga Olldashi
Ndërkohë që mediat pranë qeverisë vijojnë të merren me deklaratat e Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi për një pallat të parregullt, aty ku vlon vërtet konflikti e skandali ka të tjera zhvillime. Kështu, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, ka vendosur që të shtyjë afatet e tenderit paralel me atë që ka fituar Bashkim Ulaj, biznesmeni pranë Familjes Berisha. Këtij të fundit tenderin ia dha ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.
Si nisi historia
Genc Pollos, njeriut që po ngelej pa një post ministror, iu krijua një hapësirë nga Sali Berisha, që për hir të tij ngriti atë që njihet me emrin Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Emri i çuditshëm dhe plot mospërputhje nuk është problem për kryeministrin që me këtë rast hiqte qafe Pollon, por kënaqte edhe egon e tij për Shqipërinë Dixhitale.
Mirëpo një nga tenderat më të rëndësishëm që do kishte në dorë Pollo, ai për lidhjet e internetit, u dha nga një tjetër ministër, ai i Transporteve, Sokol Olldashi. Ai zgjodhi të jepte një tender monopol për 40 vite për kompaninë e Bashkim Ulajt, njeriut të afërt me Familjen Berishë. Para pak ditësh, skandali u shfaq në një nga mediat e qeverisë, në gazetën Panorama. Ajo e akuzonte Olldashin me të drejtë se kishte dhënë një monopol në një fushë të veçantë, duke shmangur nga konkurrenca arbitrarisht tre kompani të tjera. Kompania e Ulajt u krijua pak pasi Olldashi u prishi kontratat kompanive të tjera. Madje siç shkruan sot Panorama, firma e Ulajt mund të ketë monopolin mbi këto lidhje edhe për më shumë se 40 vjet. Skandali thellohej pasi firma e Ulajt do bënte çarjen e disa akseve të rëndësishme rrugore, përfshi rrugën e Kombit, e cila edhe pse i ka vendet për këto lidhje, do bëhej kurban për hir të fitimeve të Ulajt.
Pollo nga pas
Në fakt në media po tentohet të paraqitet si një konflikt mes Pollos dhe botuesit të gazetës, që është njëkohësisht ndërtues. Olldashi thotë se ka ndërtuar në tokë bujqësore, kurse botuesi i mohon këto akuza. Por realisht, njeriu që është tërbuar nga ky tender është ministri i Ministrisë së re. Ai ka shpallur një tender paralel për të njëjtin qëllim. Siç shihet në faqen e kësaj ministrie të re, tenderi është shpallur, madje botimi është bërë në dy media shumë të rëndësishme në botë siç janë Financial Times, Global Market Place dhe në dy të përditshme shqiptare, çuditërisht Panorama dhe gazeta qeveritare Standard. Madje kaq i rëndësishëm është ky tender për Pollon, sa i është dedikuar një faqe e posaçme me informacion, po kaq e mbuluar sa gjithë aktiviteti i ministrisë. Në kushtet e kësaj përplasje, Pollo ka njoftuar në faqe se dorëzimi i dokumentave është shtyrë për në datë 26 shtator. Se çfarë do ndodhë deri atëherë nuk dihet, por çështja ka shkuar në dyert e gjykatës. I vetmi që nuk është shprehur për këtë konflikt është kryeministri.
Njoftim Për Ndryshimin e Afateve Kohore
MINISTRI PËR INOVACIONIN DHE TEKNOLOGJINË E INFORMACIONIT E TË KOMUNIKIMIT NJOFTON NDRYSHIMIN E AFATEVE KOHORE PËR DORËZIMIN E OFERTAVE PËR PROÇEDURËN KONKURUESE PËR DHËNIE KONCESIONI PËR TË: VENDOSUR, INSTALUAR, ZHVILLUAR DHE MENAXHUAR INFRASTRUKTURËN E RRJETIT KOMBËTAR ME BREZ TË GJERË (REKAB) NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË.
Afati për dorëzimin e ofertave shtyhet më datë 26 Shtator 2011 ora 12:00
Për çdo informacion shtesë ju lutemi vizitoni faqen e internetit: http://rekab.mitik.gov.al
Njoftimi për tenderin
Qeveria shqiptare ka vendosur të japë me koncesion nëpërmjet një partneriteti privat – publik projektin për instalimin, zhvillimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së Rrjetit Kombëtar me Brez të Gjerë (REKAB) në Republikën e Shqipërisë.
Për këtë qëllim Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit shpalli më 16 maj 2011 një procedurë konkuruese për dhënien me koncesion të këtij projekti, për të përzgjedhur nga ofertuesit një kompani për instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e REKAB, një infrastrukturë e re kombëtare për transmetim të dhënash, që do të ofrojë shërbim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Dorëzimi i ofertave pritet në datë 26 shtator 2011.
REKAB do të ofrojë një model të ri të biznesit për industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri, duke sjellë një zhvillim më të madh të tregut të telekomunikacioneve dhe rritjen e konkurrencës. REKAB do të zotërohet dhe shfrytëzohet në mënyrë komerciale dhe do të fuqizojë zhvillimin makro-ekonomik të vendit dhe do të mundësojë arritjen e infrastrukturës “Broadband” të shekullit të 21-të dhe do të rendisë Shqiperinë krahas vendeve më të zhvilluara përsa i përket zhvillimeve infrastrukturore.
Njoftimi për garën është publikuar në Financial Times, Global Market Place, Buletinin e Njoftimeve Publike Agjencia për Prokurimin Publik, si dhe në të përditshmet shqiptare “Panorama” dhe “Standard”. Informacioni mbi dokumentacionin e procedurës së konkurimit është tashmë publik në faqen zyrtare: http://rekab.mitik.gov.al.
Vlen për tu theksuar se ofertuesit do të vlerësohen për ndërtimin e rrjetit në tërësi, për mënyrën sesi do t´i ofrohen shërbimet klientit fundor, në përputhje me prioritetet e Qeverisë Shqiptare, Strategjisë Ndërsektoriale për Shoqërinë e Informacionit dhe Agjendës Evropiane 2020.