E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Krasniqi i jep lamtumiren boksit

Luan Krasniqi i ka dhënë lamtumirën boksit profesionist, duke mbyllur kështu një karrierë të jashtëzakonshme në ring. 40-vjeçari e bëri publik vendimin e tij nëpërmjet një letre të hapur, duke i falënderuar të gjtihë ata që e ndihmuan dhe e mbështetën për të arritur në majat më të larta.
Gjithashtu, Krasniqi ka falënderuar edhe tifozët për përkrahjen që i kanë dhënë. Gjatë karrierës së tij, kampioni i lindur në Junik, ka zhvilluar 35 duele, nga të cilat ka fituar 30, në një rast është ndarë në barazim dhe ka pësuar 4 humbje.
Për disa vite radhazi, Krasniqi ishte kampion i Europës për peshat e rënda të EBU, ndërsa në karrierë ai ka arritur të renditet edhe në vendin e dytë në listën e më të mirëve të botës për peshat e rënda në versionin ËBO.
“Të dashur miq, me përfundimin e vitit 2011 dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve. Kam vendosur të tërhiqem nga boksi profesionist dhe ju jam mirënjohës për mbështetjen tejet të madhe të cilën e kam patur nga tifozët e mi, gjatë gjithë kohës që kam qenë në ring”, shkruante Krasniqi.
Më tej ai shtonte se “në rrugëtimin tim sportiv, ju më keni dhënë kurajë. Simpatinë tuaj e ndiej edhe sot, e për këtë arsye do të vazhdoj të punoj për këtë sport. Përvojën time do ta vë në shërbim të këshillimit dhe mbështetjes së talenteve të rinj, por edhe nëpërmjet ekraneve, në komentimin e dueleve”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›