Luan Krasniqi përgatitet për rikthimin në ring
Luan Krasniqit i duhet të qëndrojë edhe për disa kohë jashtë ringut, por ai tregohet i duruar dhe po përgatit rikthimin mes më të mirëve. Boksieri i njohur kosovar është i vendosur për këtë. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se kur do të ngjitet sërish në ring. Javën e ardhshme do të zhvillojë negociatat me promotorët e tij Klaus-Peter Kohl dhe Dietmar Poszwa. Tri tentativat e tij të mëparshme, e fundit në nëntor 2008 kundër shokut të skuadrës, Aleksandër Dimitrenko, dështuan për arsye të ndryshme. Që 38-vjeçari të realizojë dëshirën e tij për t’u ndeshur për të 36-ën herë që nga 1997 në boksin profesionist, mbështetet në një disiplinë të hekurt dhe te një stërvitje e vështirë. Ndihet i motivuar dhe thekson se nuk e ka humbur besimin, por shumë do të varet nga gjendja e tij fizike. Tani ai ka nisur stërvitjen më kohë të plotë në Hamburg, pas dëmtimit që pësoi disa kohë më parë. Qëllimi i tij është rikthimi në ring: “Nëse nuk do të kishin ndodhur këto budallallëqe, atëherë në 2009 unë do t’u kisha vërtetuar të gjithëve, që duhet të më llogarisin edhe mua. Dua ta provoj veten edhe një herë dhe prandaj stërvitem çdo ditë”, nënvizon ai. Menaxheri i tij, Folker Gril, thekson: “Luani duhet të tregojë durim, derisa të qartësohet gjithçka, prandaj nuk është momenti të marrim asnjë vendim, pasi mund të rezultojë spekulim”, tenton të zbusë ai situatën. Aktualisht mungon trajneri, data dhe kundërshtari. Ish-trajneri i tij, Valentin Silaghi, është larguar nga “Universumbox”. Përkrah stërvitjes, Krasniqi po ushtron edhe profesionin si ekspert boksi për televizionin e njohur gjerman “RTL”, ku ka analizuar disa herë ndeshjet e dy vëllezërve kampionë të botës, Vladimir dhe Vitali Kliçko. Një punë që i jep atij shumë kënaqësi: “Te ‘RTL’ ka një ekip fantastik profesionistësh dhe unë jam i kënaqur që bashkëpunoj me ata”, përfundon Krasniqi.
#