Stadiumi për Irlandën ende pezull. Sallaku, ftesë FSHF-së të nxitojë
Ende mbetet pezull marrëveshja mes FSHF-së dhe stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” për zhvillimin e ndeshjes miqësore të 3 marsit Shqipëri-Irlandë e Veriut. Për momentin ekziston një situatë e paqartë mes palëve, të cilat pretendojnë në të tyre, por zgjidhja nuk duket askund. Edhe 24 orët e fundit nuk kanë ofruar asnjë negociatë zyrtare mes tyre, ndërkohë që vetëm dy ditë na ndajnë nga ndeshja. Megjithatë, kur pyetet se cilat janë gjasat e një marrëveshjeje, drejtori i stadiumit, Gazmend Sallaku, shprehet se ka besim se FSHF do ta marrë me seriozitet situatën. Ai nënvizon se nga ana e tij janë marrë të gjitha masat dhe që nga dita e djeshme stadiumi është i gatshëm për të mikpritur ndeshjen miqësore. Por thekson se deri tani nuk ka pasur asnjë negociatë zyrtare me drejtuesit e FSHF-së, të cilët, sipas tij, duhet të kishin dërguar një kërkesë zyrtare që një muaj përpara. Megjithatë, si njeri i futbollit, ai beson se gjithçka do të zgjidhet sot ose nesër.
#