Ujqërit e dëborës mundin 1-0 edhe Shkumbinin
Në më pak se 100 orë, që përkojnë me fiks katër ditë, Skënderbeu i Mirel Josës demonstron se nuk di të ndalet dhe koleksionon dy fitore në të dy ndeshjet e prapambetura të Fazës së Dytë të Kategorisë Superiore, atë të javës së 20 ndaj Teutës me rezultatin 3-0 dhe atë të javës së 22 kundrejt Shkumbinit (të dyja të shtyra për shkak të dëborës së madhe që kishte mbuluar fushën e stadiumit të qytetit të Korçës). Fakti që i ka vënë vulën këtij përfundimi ka qenë pikërisht ndeshja e fundit, ajo ndaj Shkumbinit, e zhvilluar pasditen e djeshme në qytetin juglindor të Shqipërisë. Rezultatin 1-0 ndaj peqinasve u ka mjaftuar “Ujqve të dëborës” të koleksionojë 3 pikë të çmuara, nëpërmjet të cilave kanë mundur të shmangin edhe vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, që tashmë i përket Gramozit. Goli i lezhjanit Robert Grizha (blerjes dimërore të Skënderbeut) në minutën e 4 të takimit, u ka dhënë 3 pikë të tjera të arta të besuarve të trajnerit Mirel Josa, që me drejtimin e presidentit Agim Zeqo kanë dhënë sinjale pozitive, se i kanë mundësitë që të realizojnë shpëtimin e Skënderbeut nga rënia një kategori më poshtë. Tashmë kuqebardhët juglindorë nuk janë më të fundit në klasifikim, si në vitin e shkuar, por ia kanë lënë vendin e 12-të Gramozit fqinj të Ersekës. Ndeshja ndaj Shkumbinit është luajtur në një terren mjaft të rënduar, ku pjesa më e madhe e fushës ishte e mbuluar nga balta, në të cilën qarkullimi i topit ishte i vështirë, megjithatë u ka buzëqeshur vendasve, që kanë realizuar një gol që në minutën e 4-t të lojës, të cilin e ka mbrojtur heroikisht deri në fund. Shkumbini, veçanërisht në pjesën e dytë, ka sulmuar fuqishëm, e ka vënë në pozitë të vështirë Skënderbeun, por nuk ka realizuar dot. Kjo më shumë për meritë të prapavijës korçare, që ka treguar shpirt të lartë gare në mbrojtje të fitores. Të cilën, më së fundi e ka arritur, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm përpara në shpëtimin nga rënia direkte në Kategorinë e Parë. Të dyja skuadrat e mbyllën me nga dhjetë lojtarë këtë ndeshje, pas ndëshkimit me kartonë të kuq të Klevis Roshit të Skënderbeut dhe Ahmed Mujdragiçit të Shkumbinit.
Për Skënderbeun, lojtarët e të cilit u shpërblyen në total me nga 10 milionë lekë nga presidenti Agim Zeqo, kjo ishte fitorja e dytë në harkun e katër ditëve, pas asaj kundër Teutës (3-0). Me fitoren e sotme, Skënderbeu u ngjit në kuotën e 21 pikëve, me dy më shumë se Gramozi i vendit të fundit të Superligës, 19 pikë, dhe dy pikë më pak se Kastrioti i vendit të 10-të (zona play-off). Në javën e parë të fazës së tretë, Skënderbeu do të luajë në Kavajë kundër Besës së vendit të dytë, ndërkohë që Shkumbini do të luajë kundër Vllaznisë.
#