E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Krasniqi, sot në ring përballë rusit Dimitrenko

Boksieri shqiptar, Luan Krasniqi, do të ndeshet në Dyseldorf me rusin Aleksandër Dimitrenko, në sfidën që shihet si shansi i tij i fundit për titullin Kampion Bote në peshën e rëndë të versionit WBO.

 37-vjeçari i lindur në Junik shprehet optimist për duelin që do të zhvillohet sot në orën 23.00.

Luan, të gjithë flasin për një rikthim. A është ky një rikthim për ju, apo keni menduar ta përfundoni karrierën?

Jo, absolutisht jo. Personalisht e kam pasur të qartë që doja të boksoja sërish. Madje, ishin përcaktuar dy sfida në muajt mars dhe maj, por ato nuk u anuluan prej meje.

Çfarë ju ka motivuar pas humbjes me Toni Tompson? Shansi për të luftuar përsëri për titullin Kampion Bote, apo thjesht ju kanë munguar ringu dhe atmosfera?

Humbja me Toni Tompson ishte katastrofike dhe nuk më hiqet nga mendja. Atë zhgënjim nuk do t’ia fal kurrë vetes dhe natyrisht dua të më krijohet sërish mundësia për të luftuar për titullin e Kampionit të Botës.

Vitali Klitçko ka fituar pas një pauze të gjatë. A do ta arrijë këtë edhe Luan Krasniqi?

Pas çdo ndeshje, veçanërisht pas çdo humbje, mëson shumë. Për këtë arsye ju siguroj se do të shihni një Luan tjetër nga ai i meçit të fundit. Të shtunën (sot), do të shohim nëse do të jem më i miri. Tifozët do të shohin Luanin e vërtetë dhe do të festojnë një fitore të madhe.

Kur e morët vendimin për të boksuar sërish?

Relativisht shpejt, por është e qartë se kam menduar për të gjatë gjithë kohës.

A jeni konsultuar me personat afër jush, apo është vendim tërësisht personal?

Natyrisht që kam biseduar me miqtë dhe familjen time dhe askush nuk më ka thënë “ndalu”. Ndërsa vendimin, natyrisht, më është dashur ta marr vetë, sepse në ring jam i vetëm.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne numrin e sotem te gazetes "Shqip" www.gazeta-shqip.com



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›