E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama PS do ta heqe vete kryetarin e saj

LSI

Beteja e Partisë Socialiste synon vetëm Bashkinë e Tiranës. Kështu është shprehur dje sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili në një konferencë për shtyp ka akuzuar kreun socialist, Edi Rama, për lidhje me krimin. “Ai e di shumë mirë që me largimin e tij nga andej, socialistët do ta largojnë edhe nga partia dhe kështu do të marrë fund përfundimisht një vatër e kontaminuar keq...që është shndërruar në një vatër ku përplasen dhe ku drejtojnë interesat kriminale të qarqeve të njohura tashmë të pastrimit të parave, të cilat e kanë shndërruar Tiranën në Tiranën e betonizimit”, u shpreh Luan Rama. Duke folur për situatën e krijuar nga kërkesat e PS-së, numri dy i LSI ka nënvizuar një gjendje dualiste në selinë rozë, sipas së cilës kreu i saj nuk përfaqëson më vetë socialistët. “Kryetari i tyre, edhe në shfaqjen e tij të fundit mediatike, nuk doli në emër të interesave të socialistëve, në emër të qytetarëve të këtij vendi, por foli si zëdhënës mjeran i zënë peng nga struktura e krimit të organizuar”, deklaroi Rama. Ky është një argument i qëndrueshëm i LSI-së, e cila në vijimësi mban të hapur në artikulimin e vet një hendek që konstatohet mes Edi Ramës dhe bazës së PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›