E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i policise masa vartesve qe parkojne prane Drejtorise se Tiranes

Urdhri Muça: “Konstatohet se efektivët sjellin trafik dhe imazh të keq të policisë”

Trafiku në rrugët e Tiranës nuk shkaktohet vetëm nga numri i lartë i makinave, por edhe nga mosrespektimi i rregullave nga vetë punonjësit e policisë. Kjo është konstatuar nga drejtori i ri i kësaj drejtorie, Sajmir Muça, i cili ka urdhëruar të gjithë vartësit të kenë kujdes, pasi ndaj punonjësve të policisë do të merren masa sipas Kodit Rrugor, por ata do të ndëshkohen edhe sipas rregullores së disiplinës për prishje të imazhit të policisë. Në urdhrin e tij, drejtori i Policisë së Tiranës, deklaron se nisur nga konstatimet e deritanishme, rezulton se në rrugën “Sami Frashëri”, nr. 3, e konkretisht në aksin rrugor përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga kryqëzimi me rrugën “Myslym Shyri” e deri te kryqëzimi me bulevardin “Gjergj Fishta”, ka një fluks të dendur të lëvizjes së automjeteve. Sipas tij, një pjesë e mjeteve parkohen në mënyrë të gabuar, dyshe dhe në trotuar, duke u bërë pengesë serioze për lëvizjen normale të automjeteve të tjera, të këmbësorëve, veçanërisht të automjeteve të policisë, që urdhërohen për të lëvizur në rastet e ngjarjeve e situatave të ndryshme kriminale dhe në raste të emergjencave civile, duke shkelur hapur kërkesat e Kodit Rrugor, si dhe duke krijuar një imazh jo të mirë për qytetarët e Tiranës që lëvizin në këtë rrugë.

Sipas verifikimeve të bëra nga shërbimet e Policisë Rrugore, rezulton se një pjesë e automjeteve, të cilat parkohen në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, apo edhe mbi trotuare, janë automjete në përdorim apo në pronësi të punonjësve të policisë, efektivë si në drejtori dhe në komisariatet e Tiranës. Me qëllim të marrjes së masave të plota për normalizimin e trafikut në aksin rrugor përpara Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Tiranës dhe moslejimin e parkimit të automjeteve, si ato që përdoren nga punonjësit e policisë, ashtu dhe të automjeteve të tjera, në mënyrë të gabuar e në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, ka dalë ky urdhër. Muça ka urdhëruar të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë në përdorim apo në pronësi automjete që lëvizin e i parkojnë ato në aksin rrugor përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të zbatojnë me korrektësi kërkesat e Kodit Rrugor për parkimin e tyre. “Në rastet e konstatimit të parkimit të automjeteve të punonjësve të policisë, në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, do të zbatohen masat ndëshkimore sipas kërkesave të Kodit Rrugor, si dhe të mbahet qëndrim deri në fillimin e ecurisë disiplinore sipas Rregullores së Disiplinës”, urdhëron kreu i policisë kryeqytetase. Për këtë, ai ka ngarkuar shërbimet e informacionit dhe shërbimet e rojeve të portave të Drejtorisë së Tiranës të monitorojnë gjatë gjithë kohës aksin rrugor përpara drejtorisë nga kryqëzimi në rrugën “Myslym Shyri” deri te kryqëzimi me bulevardin “Gjergj Fishta” dhe në raste të konstatimit të parkimit të automjeteve në mënyrë të gabuar apo mbi trotuare, qofshin këto të punonjësve të policisë apo të qytetarëve të ndryshëm, menjëherë të njoftojnë oficerin e turnit të informacionit dhe ky i fundit njofton sallën operative. “Gjatë zbatimit të detyrave nga strukturat përkatëse për ndëshkimin apo heqjen e automjeteve në mënyrë të parkuar, kur drejtuesi i saj është punonjës policie, i cili nuk bindet e mund të konfliktohet me shërbimet e policisë, që janë në detyrë e sipër, menjëherë njoftohet salla operative dhe kjo e fundit njofton shefin e strukturës përkatëse dhe titullarin e institucionit”, përfundon urdhri i Muçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›