E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: Preferoj të jem deputet, duhet të kishte konsultime të gjera

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama mendon se çështja e ndarjes së mandatit të deputetit me atë të ministrit do të duhet të diskutohej dhe konsultohej gjerësisht. Në një prononcim për mediat, Luan Rama u shpreh dje, se: “Është një çështje që do duhej të ishte diskutuar dhe të ishte konsultuar më mirë në momentin kur u artikulua. Unë nuk di në Europë të ketë vend tjetër që aplikon këtë standard me përjashtim të Francës”. “Është një problem, për të cilin është shpallur një qëndrim nga kryetari i PS, me këtë parim ka rënë dakord dhe LSI për të mos krijuar dy standarde. Është një çështje që ndoshta do të shihet në mënyrë më konkrete në momentin kur do të formësohet realisht qeveria e re”, tha Rama. Sa i përket ndarjes së dy posteve, kjo u vendos të aplikohej nga LSI, pas takimit të parë pas fitores së zgjedhjeve, midis dy kryetarëve Ilir Meta e Edi Rama. 

Tashmë ende nuk është vendosur nëse vetë Rama do ta mbajë edhe mandatin e deputetit apo do ta dorëzojë atë për të mbajtur vetëm atë të kryeministrit të vendit. Ndërkohë, Luan Rama u përfol si një nga ministrat në kabinetin e ri qeveritar, por ende nuk ka asnjë përcaktim të qartë. Ai kthehet pas 8 vitesh në Kuvend. I pyetur nëse ai vetë do ta linte mandatin e deputetit për ministrin, Rama shpjegon se: “Mandati i deputetit është mandat përfaqësimi politik, mandat i fituar me votë dhe përgjithësisht gjykimi apo ndarja mes një mandati të fituar me votë dhe një mandati të marrë me emërim, logjika normale të çon të orientohesh drejt mandatit të përfaqësimit”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI. Ai e sheh me optimizëm bashkëqeverisjen me PS dhe shton se forca politike që ai përfaqëson i sheh përgjegjësitë e njëjta si në qeveri ashtu edhe në Kuvend. 

“Angazhimet në grupin parlamentar, angazhimet në qeveri për ne janë një trupë e vetme, janë plotësuese, janë bashkëvepruese dhe nga kjo pikëpamje nuk ka shumë rëndësi ku do të jetë njëri emër apo ku do të jetë tjetri”. Duke këmbëngulur në faktin se nuk ka ende një ndarje të posteve Ministrore që do i takojnë LSI në qeverisjen e majtë, Luan Rama thekson se LSI ka kapacitetet e duhura intelektuale për të qeverisur.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›