E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: S’ka marrëveshje me hileqarin Edi Rama, ai kërkon të përdorë LSI-në për karrigen e Kryeministrit

12-08-2011 / Gazeta 55

Sekretari i LSI komenton dhe akuzat e deputetit Tavo ndaj ministrit Vasili: Debati është vlerë e LSI-së, sulmet personale janë të papranueshme


Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me Partinë Socialiste. Ofertën më të fundit të eksponentëve të selisë rozë për këtë qëllim, zoti Rama e cilësoi si strategji të kryesocialistit, për të përfituar nesër karrigen e kryeministrit të vendit. Në këtë sens, Luan Rama tha se lidershipi i selisë rozë është hileqar, pasi kërkon të përdorë LSI-në, për interesa të ngushta dhe mirëfilltazi personale. “Kjo periudhë, në mënyrë të veçantë periudha pasi u shpall rezultati për Bashkinë e Tiranës dhe humbja në garën për Tiranën e kryetarit të Partisë Socialiste, është shoqëruar me zëra, komente, aluzione apo edhe iluzione nga përfaqësues të ndryshëm të Partisë Socialiste, të cilët kanë lënë të kuptojnë që tek ta mund të ketë një sens reflektimi për bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ne e kemi bërë të qartë dhe unë po e përsëris që Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës, është padyshim vlerë e shtuar e këtij koalicioni, është kontributore e rëndësishme, jo vetëm në stabilitetin politik në vend dhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit, por është padyshim kontributore e rëndësishme edhe në përballimin e sfidave të mëdha me të cilat është ballafaquar, jo thjesht qeverisja por e gjithë shoqëria shqiptare. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat personale apo interesat personale të kryetarit aktual të Partisë Socialiste i cili, meqenëse humbi bashkinë, meqenëse është në opozitë për herë të parë në karrierën e vet politike, të mund të përdorë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit. Aleancat dhe koalicionet e LSI-së ngrihen mbi bazamente që kanë në themel interesat evropiane të vendit dhe jo interesat individuale të askujt”- u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Ai komentoi edhe propozimin ende jo zyrtar të socialistëve për rikthimin e Kushtetutës në variantin e vitit 1998. Kjo pas një ndjese publike që kryetari i PS-së bëri pak kohë më parë, duke i cituar të nxituara ndryshimet e bëra me konsensusin e plotë të selisë rosë në vitin 2008. Por, sekretari i përgjithshëm i LSI-së tha se nuk vlen ndjesa, kur u synua të goditej balanca e institucioneve Kushtetuese. “Ka qenë bashkëshoqërues me këtë debat dhe e ashtuquajtura ndjesë e kryetarit të Partisë Socialiste për gabimin që ai pranon në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Natyrisht, në politike dhe çdo njeri që bën politike, ashtu sikundër çdo njeri që punon, mund të bëhen gabime, por kur gabimet vijnë në mënyrë të qëllimtë, kur gabimet bëhen  me vetëdije për të goditur  balancën e pushteteve, për të eliminuar faktorë të tjerë politike dhe kur gabimet bëhen në dëm të interesave të vendit, kjo nuk mund të kalohet me një ndjesë normale por ajo që duhet të bëjë autori i gabimit është të marrë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqje. Gjithsesi, Kushtetuta nuk është statuti i Partisë Socialiste, të cilin Edi Rama e ka ndryshuar si i ka dashur qejfi, Kushtetuta nuk është si dokumentet e Partisë Socialiste të cilat ai nuk i konsideron dhe askush nuk i zbaton, por duke qenë ligji themelor i shtetit, duke qenë njëherësh njëri nga produktet më cilësore të kohës kur në qeverisje ishte Partia Socialiste, nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshojnë interesat e karriges së Edi Ramës” - deklaroi më tej sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.



Luan Rama komenton akuzat e deputetit Vangjel Tavo ndaj ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili

Debati është vlerë e LSI-së, sulmet personale janë të papranueshme

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama iu përgjigj interesit të medias, lidhur me disa nga akuzat e deputetit të LSI-së Vangjel Tavo, ndaj ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, gjithashtu përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeverisje. Në emër të LSI, zoti Rama tha se janë të mirëpritura vetëm ato kritika që janë të adresuara në forumet e partisë. “Kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principial është padyshim një vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje për Lëvizjen Socialiste për Integrim çdo kritikë, çdo vërejtje, çdo sugjerim konstruktiv dhe parimor që vjen për të përmirësuar qeverisjen, për të rritur performancën qeverisëse të LSI-së dhe të njerëzve që përfaqësojnë LSI-në në qeverisje, është padyshim e mirëpritur. Ndërkaq janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal. Unë e thashë që ne do të hyjmë në një fazë të rëndësishme, do të nisim fushatën e zgjedhjeve, fushata do të jetë edhe një fushatë debatesh, analizash të detajuara, prandaj edhe z. Tavo jo vetëm si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe si nënkryetar i Kuvendit dhe me të gjithë përvojën e vet politike që ka, ka të gjitha hapësirat e nevojshme të vijë të bëhet pjesë e këtij debati, të sjellë argumentet e veta, t’i ballafaqojmë këto argumente me të gjithë frymën e diskutimit dhe të debatit brenda strukturave dhe pastaj të konkludojmë, natyrisht mbi bazën e përgjegjësisë me të cilën duhet të sillet një forcë politike ndaj çdo personi që është pjesë përbërëse e kësaj force. Unë, si Sekretar i Përgjithshëm, flas jo vetëm në emër të LSI-së por kam edhe përgjegjësitë statutore të administroj të gjithë problematikën dhe debatin, në mënyrë institucionale, të përgjegjshme dhe konstruktive”- u shpreh ai.
LSI, riorganizim të strukturave të partisë dhe analizë për të zgjedhurit në nivele qeverisëse/Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, njoftoi dje nisjen e procesit të riorganizimit të strukturave të LSI-së si dhe analizimin e performancës për të gjithë të zgjedhurit e kësaj force politike në nivelet qeverisëse. Sipas z.Rama, reformatimi i strukturave do të përfshijë zgjedhjen e të gjitha strukturat drejtuese të partisë të çdo niveli, nga njësia bazë e deri tek Komiteti Drejtues Kombëtar, Kryesia dhe natyrisht edhe tek zgjedhja e Kryetarit të partisë mbi bazën e parimit, të njohur tashmë dhe të kthyer në vlerë për LSI-në, “një anëtar-një votë”. “Strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim po bëhen gati për të hyrë në një fazë të rëndësishme dhe do të thosha të veçantë, për rivitalizimin dhe riorganizimin e strukturave të partisë. Pas pak ditësh, në fillim të shtatorit, ne do të nisim fushatën e zgjedhjeve në parti. Një fushatë që do të shtrihet në të gjitha nivelet nga ku do të zgjidhen të gjitha strukturat drejtuese të partisë të çdo niveli, nga njësia bazë e deri tek Komiteti Drejtues Kombëtar, Kryesia dhe natyrisht edhe tek zgjedhja e Kryetarit të partisë mbi bazën e parimit, të njohur tashmë dhe të kthyer në vlerë për LSI-në, “një anëtar, një votë”. Duke qenë se Lëvizja Socialiste për Integrim është parti përbërëse me peshë dhe rëndësi të veçantë në koalicionin qeverisës, natyrisht që kjo analizë nuk mund të mos shtrihet edhe tek performanca qeverisëse e të gjithë përfaqësuesve tanë në çdo nivel të qeverisjes”- tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së vuri në dukje se ky proces vjen në momentin e duhur, pra pas dy vitesh në qeverisjen e vendit. “Jo vetëm jemi në kohën e duhur por është dhe një hapësirë kohore e mjaftueshme për të bërë një analizë, për të bërë bilanc dhe mbi këtë bazë pastaj për të krijuar terrenin për të ndërhyrë, për të korrigjuar dhe për përmirësuar gjithçka që lidhet, gjithnjë dhe vetëm me performancën qeverisëse dhe me performancën politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim” - deklaroi Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›