PS s’ka kapacitete për reformë “kushtetuese” – kërkesa është një nevojë personale e lidershipit socialist

Ndryshimet Kushtetuese, flasin ekspertët
Amendimi i Kushtetutës i kërkuar nga kryesocialisti Edi Rama shihet nga juristët si tepër i nxituar, që bëhet vetëm për interesa personale të lidershipit socialist. Eksperti ligjit dhe njëkohësisht ish- deputet i partisë socialiste Sokol Hazizaj thotë se ndërhyrja në ligjin themeltar të shtetit është një ide irracionale që nuk i shërben bashkimit të palëve. Për ish-zv/ministrin e drejtësisë, Partia Socialiste nuk ka kapacitet e duhura për të ndërmarrë një operacion të tillë. “Ideja e Partisë Socialiste për të ndryshuar Kushtetutën nuk mendoj se është një ide racionale, nuk mendoj se është një ide e cila i shërben procesit zgjedhor, nuk mendoj se është një ide që i shërben idesë së bashkimit të subjekteve politike për një interes më të lartë,që do të thotë se është një interes mediatik është një interes individual ndoshta për të qenë akoma provokues i një lideri politik i cili tashmë është shumë i lëkundur. Do të thotë se nuk duhen bërë ndryshime Kushtetuese për shkakun se Partia socialiste jo vetëm që nuk ka kapacitet e duhura për të bërë ndryshimet kushtetuese nga pikëpamja emocionale dhe profesionale, por nuk mund të trysnojë tashmë pas një humbjeje në ndryshimet thelbësore të Kushtetutës dhe nuk mund t’i lidh ato me procesin zgjedhor”- komenton ish deputeti i Partisë Socialiste Hazizaj. Juristi Hazizaj shkon më tej në arsyetimin e tij ligjor teksa thotë se, klasa jonë politike ka ndërhyrë në Kushtetutë gjithmonë përpara ose pas proceseve elektorale. Por ai i kujton njëherazi kreut të penduar të opozitës se ishte ky i fundit që me ndryshimet konsensuale të 2008-ës kërkoi nxjerrjen e KQZ nga institucion kushtetues në një organ që rregullon veprimtarinë ligjore përmes ligjeve organike. “Konstatoj se ndryshimi i Kushtetutës bëhet në mënyrë të përhershme dhe të domosdoshme me procesin zgjedhor. Procesi zgjedhor për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës nuk është më proces kushtetues është proces i një ligji organik i cili kalon me shumicë të njësuar në kuvend. Ka qenë Partia Socialiste e cila ka provokuar heqjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga institucion kushtetues në institucion i cili funksion me ligje organike jashtë kushtetutës si proces. Ndryshimi i kushtetutës i provokuar tashmë nga PS- ja nuk i shërben një procesi të ri zgjedhor përvese ndryshimi i Kodit Zgjedhor që mund të përvijojë një përkryerje të proceseve që mund mund të ndodhin në zgjedhjet e ardhshme”- shprehet juristi Hazizaj.
Ai njihet ndryshe edhe si kundërshtari i amendimeve që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008. po ashtu juristi Hazizaj flet edhe për rreziqe në rast se do të tentohet të preket sërish ligji themeltar i shtetit. “Momenti emocional pas zgjedhor për të provokuar ndryshimet kushtetuese i ka të gjitha risqet brenda. I ka risqet për të ndryshuar ose për të kalibruar institucionet e pavarura në varësi të politikave totale të partive politike. Ka riskun e ndryshimeve thelbësore të institucioneve sepse për shkak të ndryshimeve të kushtetutës provokohen ndryshime tërësisht të ligjeve organikë mbi të cilën funksionojnë institucionet kushtetuese gjë që nuk është e nevojshme e çon procesin kushtetues në një proces nul në qoftë se do të ndryshonin ato. Nuk do të kishte rrjedhoja pozitive përveçse fenomene negative që do ishin për shkak të mungesës së referencës konstitucionale të institucioneve që janë deri tashmë të pavarura. Pra do të cenonte pavarësinë e institucioneve. Komenti ligjor i ish- zëvendës ministrit të drejtësisë, njëherazi dhe i ish-deputetit socialist vjen në një kohë kur opozita duket e pozicionuar qartazi që me fillimin e parlamentit në 5 shtator, do të paraqesë në tryezën e debatit politik një paketë të re ndryshimesh kushtetuese përmes të cilave do të kërkojë dhe amendimin e nenit që ka të bëjë me mënyrës e zgjedhjes së kreut të shtetit.