Luan Starova, konferencë në Pogradec
Në vijim të ditëve të Frankofonisë, organizuar nga Ambasada Franceze në Tiranë, do të organizohet sot pasdite në Pallatin e Kulturës së Pogradecit një konferencë me shkrimtarin Luan Starova. Ai do të diskutojë dhe do të flasë me publikun për veprën dhe librat e tij. Luan Starova është një ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Ai është autor i shumë veprave letrare dhe eseistike. Shumica e librave të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Shtëpia botuese "Fayard" ka botuar tre libra të tij në gjuhën frënge. Për punën e tij krijuese ai ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Libri "Koha e dhive" është shpallur roman i vitit në Francë, çmim që, ndër shkrimtarët e këtij rajoni, përveç Starovës, e ka marrë vetëm Danillo Kish. Starova është fitues edhe i çmimit "Jean Monnet" në edicionin e romanit më të mirë evropian. Luan Starova ka përkthyer në gjuhën maqedonase Anton Pashkun, Rahman Dedajn, Fahredin Gugën, Azem Shkrelin, kurse nga frëngjishtja në gjuhën shqipe ka përkthyer një përzgjedhje poezish nga Andre Frenos. Ndërkaq, dita e nesërme do të vijojë edhe me shfaqjen në Tiranë të filmit francez "Mon Milliur amie", i regjisorit Patrice Leconte. Në Korçë do të çelet ekspozita me tekstet e konkursit "Dhjetë fjalët".