E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pascal Gallet, koncert pianoje në Tiranë

Një tjetër artist francez vjen të interpretojë në skenën e Akademisë së Arteve, i ftuar nga "Cameratatirana". Pianisti Pascal Gallet, i konsideruar nga kritika ndërkombëtare si një nga më të famshmit e brezit të tij, vjen në Tiranë për koncertin e datës 30 mars. Në program janë vepra të njohura nga Janacek, Messiaen, Chopin. Dirigjent i ftuar i këtij koncerti është z.Zhani Ciko. Pascal Gallet, i lindur në Francë, studimet për piano i ka ndjekur që në vogëli. Në moshën 10-vjeçare është shfaqur për herë të parë në një emision televiziv, ndërsa më pas ka ndjekur Konservatorin Superior të Muzikës në Paris. Në vitin 1987 vlerësohet me çmimin e parë. Deri më sot, ai është vlerësuar me një seri çmimesh ndërkombëtare, duke përfshirë Viotti-Valsésia, çmimin e Ministrisë së Kulturës, Porto, Trapani, Vierzon etj. Pascal Gallet është prezantuar në skenat botërore si solist, por edhe në aktivitete të ndryshme, i shoqëruar nga orkestra franceze, por edhe ato britanike, e të Meksikës; ka interpretuar me Calgary Philharmonics etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me disa nga artistët më të njohur francezë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›