E Diel, 1 Nëntor 2026

Luan për viktimat

Emmanuel Adebayor do ta dedikojë pjesën e mbetur të karrierës së tij për përkujtim të atyre që humbën jetën në sulmin ndaj autobusit të Togos. Sulmuesi i Manchester City dhe bashkëkombësit e tij nga ekipi kombëtar ishin në rrugë drejt Kupës së Afrikës në Angola, kur karvani i tyre ishte rrethuar në krahinën Cabinda.

Tre persona humbën jetën në sulmin pas të cilit Adebayor ishte frikësuar për jetën e tij dhe, edhe pse shpëtoi fizikisht i palënduar, atij i kanë mbetur shenjat e thella mendore. “Pas Angolës jam i lumtur që gjendem në fushën e futbollit”, tha ish ylli i Arsenalit.

“Ajo që ndodhi më 8 janar, të premten, rreth orës 14 00 , i kam thënë vetes se mund të mos jem më kurrë në fushën e futbollit dhe se ndoshta më kurrë nuk do të shënoj gola. Por, Zoti na ndihmoi. Disa njerëz kanë vdekur dhe ju duhet të luani për ta. Sa herë që vishni fanellën, ju duhet të shënoni për ta. Mund të isha varrosur diku. Adhuroj shënimin e golave, por çka do që bëj tani them: ‘Po, je duke shënuar gola – por mund të kishe qenë në arkivol, mund të isha në parajsë, nuk e di’. Është shumë vështirë”, shtoi ai.

Adebayor është kthyer në fushë me Cityn pas një pushimi të kaluar me familjen e tij dhe ka realizuar në dy prej tri paraqitjeve, derisa ekipi i Roberto Mancinit synon të përfundojë sezonin në top katër. Manchester City u rikthye nga humbja e papritur në udhëtim te Hull City me fitore 2-0 në shtëpi ndaj Boltonit të martën, që i la ata në pikë të barabarta me Liverpoolin, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Takimi i ardhshëm për ta është përballja me Stoke në FA Cup të shtunën, që përcillet nga udhëtimi në Britannia Stadium për ligë e pastaj takimi i rëndësishëm me Liverpoolin në Eastlands. Adebayor është i vetëdijshëm se ekipi duhet të përmirësojë formën në udhëtim.

“Gjëja më e rëndësishme është të mundohemi të fitojmë ndeshjet. Mendoj se jemi duke luajtur mirë dhe kemi shumë futbollistë kualitativë. Pas asaj që ndodhi në Hull ishte shumë me rëndësi për ne të mposhtnim Boltonin dhe jam shumë i lumtur. Në shtëpi luajmë mjaft mirë, por duhet të përqendrohemi në takimet në udhëtim. Nëse i përmirësojmë paraqitjet tona si mysafirë, mund të jemi të rrezikshëm për çdo kundërshtar në ligë”, përfundoi Adebayor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›