E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Kombëtare

Mërgim Mavraj ka vendosur ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi kosovar këtë vendim e ka marrë pas disa bisedave që pati me selektorin Josip Kuze.

Trajneri kroat e ka ftuar mbrojtësin e Bochumit që t’i bashkohet ekipit menjëherë në ndeshjen miqësore që Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë kundër Irlandës së Veriut më 3 mars në Tiranë.

“Kam biseduar me Kuzen. Ai ka shprehur dëshirën që unë të luaj për Kombëtaren dhe unë i kam treguar se jam i gatshëm të luaj. Ai më ka ftuar që të luaj në miqësoren me Irlandën e Veriut”, ka thënë Mavraj për Express, të enjten.

Ish mbrojtësi i skuadrës gjermane SV Darmstadt 98 është shumë i lumtur që do ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare, të cilën e kishte ëndërr.

“E ndiej vetën krenar që do të luaj për Shqipërinë dhe po ashtu po më plotësohet një ëndërr e imja. Shpresoj se mundem ta ndihmoj Kombëtaren për me ecur edhe shumë hapa përpara”, deklaroi 23 vjeçari.

Mbrojtësi i gjatë 190 centimetra ka njohuri për Kombëtaren shqiptare, të cilën thotë se e ka përcjellë që kur ishte fëmijë.

“Si fëmijë e kamë përcjell çdo lojë të Kombëtares dhe me Altin Raklin si idol ia kam filluar futbollit. Edhe prej se luaj futboll profesionist, e përcjell Kombëtaren, ndërsa lojtarët nuk i njoh mire, pas pak nga ta luajnë në Bundesligë”, u shpreh Mavraj.

Mavraj në vitin 2007 ishte pajisur me pasaportë shqiptare, në kohën e trajnerit kroat Otto Bariç. Mirëpo, mbrojtësin kosovar në vend të Kombëtares A e kishin ftuar me skuadrën U-21 të Shqipërisë, gjë që nuk i pëlqeu.

Pas kësaj ai refuzoi të veshë fanellën kuqezi, duke zgjedhur përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë, me të cilën debutoi në vitin 2007 në ndeshjen miqësore kundër shpresave të Italisë.

Me debutimin e Mavrajt, numri i kosovarëve në Kombëtare do të shtohet në shtatë, pasi aktualisht fanellën e ekipit kuqezi e bartin edhe Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani.

Shqipëria në grup të vështirë

Mbrojtësi i skuadrës gjermane Bochum i ka vlerësuar të vështirë kundërshtarët e Shqipërisë për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2012. Shqipëria bën pjesë në Grupin D dhe për kundërshtarë ka Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun.

“Është një grup shumë, shumë i vështirë, mirëpo detyra jonë është që të mbledhim sa më shumë pikë. Për ndeshjet kundër ekipeve të mëdha nuk duhet të dorëzohemi, sepse në vendin tonë është vështirë të na mposhtin pa marrë parasysh se kush është”, përfundoi Mavraj.

Selektori i Shqipërisë, Josip Kuze, me Mavrajn do ta zgjidhë problemin e mbrojtjes në ekipin kuqezi, repart i cili nuk ka qenë në nivel të duhur viteve të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›