E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bujku i mirë” i Vaqarit, parcelë hashashi në oborr

08/06/2011  Drogë, çokollatë dhe armë

TIRANË- Rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar zgjodhi një 36-vjeçar nga Bultica e Vaqarit në Tiranë, teksa oborrin e shtëpisë e kishte shndërruar në parcelë hashashi, në një vend të improvizuar si serë. Si rezultat, me t’u pjekur kjo bimë fitimprurëse, do ta korrte dhe presonte deri në atë fazë sa ta paketonte mirë dhe ta nxirrte në treg lëndën tashmë të shndërruar në çokollatë. Ky lloj hashashi, tepër i preferuar, do t’i sillte fitime marramendëse, ndoshta të njëjtat me atë të vitit të kaluar, ku i kishin mbetur ende 40 kg pa shitur, pra do fitonte 50 mijë euro. Por informacioni për aktivitetin e këtij “bujku të mirë” do të vinte dhe përpunohej tek Antidroga e Tiranës, e cila përpunoi aksionin që e kodoi “Bujku” dhe mësyu në këto ambiente, ku sekuestroi 40 kg hashash të presuar dhe armë, teksa pronari u prangos. Kështu, nga burimet e policisë mësohet se në kuadër të këtij operacioni u realizua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit Altin Shehi, 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”. Në saje të një hetimi intensiv disamujor u arrit kapja e tij, dje në mesditë në Bulticë, komuna Vaqar Tiranë, ku nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, përveç sasisë prej 40 kg mariuanë u sekuestruan një sërë armësh dhe municionesh. Gjatë kontrollit të kësaj banese janë gjendur edhe një sasi pluhuri me bimë e dyshuar mariuanë, 200 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa të mbjella në një serë brenda oborrit të banesës së tij, si dhe pajisje me të cilat kishte bërë presimin e bimës narkotike e llojit mariuanë. Po ashtu, gjatë kontrollit në serat e banesës së këtij shtetasi janë gjendur të kultivuara gjithësej 33 bimë, në zhvillimin e sipër, si dhe 180 copë kubikë të kësaj bime, e cila do të vendosej në oborrin e banesës së këtij shtetasi për t’u zhvilluar e rritur. Përveç drogës, atij iu sekuestrua edhe një armë zjarri automatik, së bashku me krehrin dhe 300 copë fishekë, pajisje metalike që shërbente për presimin e kallëpit, tre pajisje metalike, kallëp presimi në formë cilindrike, një krikë që shërbente për presimin dhe paketimin e lëndës narkotike, gjashtë sita me ngjyrë të ndryshme, një pajisje për presim (tokmak), një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një sasi letër varaku, që shërbente për paketimin dhe ambalazhimin e lëndës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›