E Diel, 1 Nëntor 2026

Fieri, vazhdon të jetë qyteti i tretë më i ndotur në vend

08/06/2011  Qytetarët asnjë akses në të dhënat për nivelin e ndotjes

FIER- Fieri vazhdon të mbetet qyteti i tretë në vend për sa i përket nivelit të lartë të ndotjeve urbane. Edhe pse në Fier është folur shpesh në media dhe institucionet përkatëse për nivelin e lartë të ndotjes në këtë rreth, pamja, gjendja dhe realitetit flasin për një gjendje krejtësisht të ndryshme. Shqipëria ka ratifikuar në vitin 2000 konventat që u jep të drejtë qytetarëve të informohen për nivelin e lartë të ndotjes në mjedisin ku ata banojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre rreth mjedisit. Por ky informacion që shoqërohet edhe me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjet mjedisore nuk zbatohet. Shembulli konkret janë agjencitë mjedisore që nuk japin të dhëna për mjedisin dhe qeverisja lokale. Qeverisja qendrore dhe ajo lokale kanë parë njeri-tjetrin si dy pjesë të ndara madje edhe projektet herë pas herë në mbrojtje të mjedisit nuk kanë qenë në përputhje me njeri-tjetrin. Problemi i ndotjes së mjedisit duket se nuk po trajtohet me seriozitetin e nevojshëm edhe në qytetin e Fierit. Në Fier ndotja është e gjithanshme, nga uji, ajri dhe toka. Kemi ndotje masive nga mbetjet e hidrokarbureve, gazrat toksikë që vijnë nga makina, ndotjet e plehrave urbane etj. Kompanitë e naftës shihen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit dhe nuk shihet asnjë masë parandaluese nga ana e shtetit dhe agjencive mjedisore për t’i thënë ndal kësaj ndotjeje. Ndotje shkaktohen edhe nga ndërtimet pa kriter. Kompanitë nuk bëjnë as përpjekjet më të vogla për të minimizuar ndotjen, sidomos ato ndërtuese. Balta dhe pluhurat janë kudo të gjindshme. Nuk ka një interesim të Bashkisë për të detyruar kompanitë që ndërtojnë të zbatojnë të gjitha normat për të mbrojtur mjedisin. Punimet kryhen në kushtet e trafikut, madje edhe në rrugë. Ndotja e mjedisit vjen dhe nga mbeturinat plastike madje nuk ka asnjë masë parandaluese për të minimizuar. Përballë kësaj situate, qytetarët dhe ai që e vuan nuk gjen asnjë zgjidhje. Flitet në emër të qytetarit nga ana e agjencive mjedisore, por edhe vet qytetari nuk ka asnjë akses për atë që ndodh në shtëpinë e tij të përbashkët dhe kështu Fieri vazhdon të renditet i 3 në vend për sa i përket ndotjes. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›