Lufta dhe teatri

Sapo është kthyer nga Lajpcigu, ku qe i pranishëm në Panairin e Librit të këtij qyteti, por pas pak ditësh i duhet prapë ta lëshojë Kosovën. Kësaj radhe destinacion i dramaturgut Jeton Neziraj është një vend pak më i largët. Universiteti i Calgary-t në Kanada i ka bërë ftesë Nezirajt për të mbajtur një ligjëratë me temën: ‘Teatri dhe lufta në Kosovë’. Këtë ligjëratë Neziraj do ta mbajë më 29 mars në universitetin e njohur kanadez.
Ligjërata organizohet nga Consortium for Peace Studies e Universitetit të Calgary-t. Fokusi kryesor do të jetë në rolin që ka pasur teatri gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me fokus projektin ‘Zërat’ që vite më parë është realizuar në Kosovë.
“Zërat ka adresuar çështjen e të pagjeturve në Kosovë dhe ka qenë i organizuar nga Qendra Multimedia dhe Zyra e UN për Persona të Pagjetur dhe Mjekësi Ligjore. ‘Zërat’ ka qenë një iniciativë interaktive që për bazë ka pasur metodologjinë e Teatrit të të Shtypurve të Augusto Boalo-s, respektivisht, teknikat e Teatrit të Forumit. Por natyrisht, do të flas edhe për iniciativa tjera teatrore të cilat kanë pasur si synim t'i shërbejnë paqes në regjion”, u shpreh Neziraj.
Ka mbi pesë vite që Neziraj punon me Universitetin e Manchester-it të Anglisë në një projekt që quhet ‘In Place of War’ dhe i cili përpiqet të hulumtojë raportin e luftës me teatrin dhe anasjelltas. Me fjalë të tjera, synon të shohë rolin e teatrit dhe krijuesve të teatrit në periudha para, gjatë dhe pas luftës ose konfliktit. Neziraj tregon se rezultatet nga ky projekt janë inkurajuese dhe dëshmojnë që teatri luan një rol aktiv posaçërisht mbas përfundimit të luftërave.
“Natyrisht tipat e teatrit që krijohen në situata të luftës janë të ndryshme. Ne e dimë që në Kosovë, në disa zona, gjatë luftës, ka operuar ‘teatri ushtarak’ i UÇK-së. Ky ka qenë një teatër propagandistik dhe agjitativ, por ai ka luajtur një rol të fuqishëm në vetëdijesimin e njerëzve dhe në përçimin e mesazheve të ndryshme politike të asaj kohe. Studiues anglez të teatrit e kanë analizuar shkëlqyeshëm punën e teatrit të Latif Zariqit gjatë luftës”, tha Neziraj.
Në Calgary ai do të qëndrojë dhjetë ditë dhe veç kësaj ligjërate do të ketë edhe disa aktivitete shtesë. Do të flasë në një panel ndërkombëtar për punën e dramaturges së famshme kanadeze Sharon Pollock, posaçërisht do të fokusohet në dramën e saj ‘Lidhje gjaku’, e cila është inskenuar në Kosovë. Dhe, gjithashtu, do të ketë edhe lexime të disa prej shkrimeve të tij të fundit.