Lufta e Ftohtë e FRESSH-it është zhvendosur në segmentin Dhërmi-Jalë, me keqpërdorimin e Pandeli Majkos
Ish-kryeministri socialist është shfaqur në kampingun e Jalës, në krah të Erion Veliajt, të cilin dikur e pat përbuzur publikisht, si pjesë e skemës për eliminimin e Elisa Spiropalit, e cila ka mbetur e izoluar në Dhërmi, si një minoritare “par excellence” e klanit të Edi Ramës
Një pjesë e mirë e figurave kryesore të Partisë Socialiste janë shpërngulur këto ditë gushti në plazhet e jugut të Shqipërisë. Në Tiranë kanë mbetur vetëm deputetët që janë përcaktuar sipas grafikut të Edi Ramës për të dhënë konferenca për shtyp. Ndërsa deputeti i PS-së, Pandeli Majko dhe Sekretari për Çështjet Rinore dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj janë parë bashkë në një kamping veror në Jalë me disa të rinj socialistë. Por kujdes, ky seminar veror edhe pse me të rinj nuk duket i organizuar nga drejtuesja e FRESH-it, Elisa Spiropalit, e cila po stërvitet për të thyer rekorde në not në plazhin e Dhërmiut dhe jo afër mitingut veror të Veliajt e Majkos. Ndaj mund të thuhet pa droje se “lufta e ftohtë” socialiste është zhvendosur në Jug të vendit, ku Erjon Veliaj po përdor ndikimin si themelues të Pandeli Majko në forum për të bërë për vete zemrat e të rinjve socialistë.
Këta të rinj socialistë në kushte të çorganizimit total të strukturave drejtuese partiake janë ndarë sidozot në grupe e sekte politike që i përgjigjen veçse urdhrave të shefave kryengritës. Grupimi më i madh është ajo e kryengritëses Elisa Spiropali, e cila fitoi “betejën” për kreun e Forumit rinor eurosocialist përkundër angazhimit të sekretarit për Rininë në partinë Socialiste, Erjon Veliaj, i cili shkoi deri aty sa tentoi të fuste lista paralele gjatë votimit të asamblesë, paçka se u përlesh me “të fortët” e Elisës.
Megjithatë futja e duarve të Veliajt në lista nuk i ka pëlqyer Spiropalit, e cila u largua në mënyrë demonstrative nga Asambleja bashkë me disa drejtues kryesorë të rretheve të FRESH, duke lënë me gisht në gojë Veliajn e Ramën të pranishëm në ambientet e pallatit të Kongreseve. Ky gjest rebeles i saj nuk i ka pëlqyer as Veliajt e as Ramës, të cilët përdorën forcën për të shkarkuar drejtuesin e FRESH-it në Kavajë, Has e Korçë, edhe pse në shkelje flagrante të procedurave statusore.
Por gjesti i shkarkimit të të besuarve të saj nuk i ka pëlqyer as kryetares së re të FRESH-it, Elisa Spiropalit, e cila në një intervistë për një të përditshme afër së majtës (15 korrik, 2012), deklaroi se Erjon Veliaj është një “ngordhalaq”, “spurdhjak”, një “vemje”, që bëjnë politikë me laptop: “Partia ku unë militoj nuk vjen dot kurrë në pushtet me të rinj të cilëve ngaqë u mungon guximi ta shohin realitetin në sy, pra ngaqë janë ngordhalaqë, në përpjekje për të krijuar një marrëdhënie më të qëndrueshme mes masës së frikës dhe realitetit, shpikin një realitet tjetër duke i mbushur mendjen vetes se në pushtet mund të vihet me klika mbi laptopa. Paradoksalisht, këta janë në të njëjtën kohë edhe të rinjtë që bëjnë kompromiset më të kollajta materiale me politikën e errët”.
Mund të duket një intervistë arrogante e radikale, në të vërtetë Spiropali lëshoi një sfidë të fortë Veliajt për të ardhmen e listës për deputet në 2013. Nga ana e tij, Veliaj demonstroi edhe njëherë modeli e tij të punës me logjikën “tabula rasa” domethënë shkreto çdo gjë që të mbetesh i vetëm në shpresë. Rrënjët e konfliktit të tij me Spiropalin bazohen te pushteti i saj në përfaqësimin e votave që ka marrë dhe që ka përcaktuar edhe autonominë e saj në marrjen e vendimeve. Kjo gjë e nervozon Veliajn, sepse siç është kundër Spiropalit do të ishte kundër kujtdo dhe do të bënte nul çdo influence të tij si njeriu që mbulon rininë.