E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet shumëplanëshe individ-shtet!

Raportet individ-shtet, shoqërishtet kanë edhe një atmosferë psikologjike mentale, emocionale dhe të vetëdijes, ku edhe ndërtohen e bashkëfunksionojnë .Filozofi strukturalist Michel Fouceau është shprehur lakonikisht se: "Frika është përgjigjja politike e të gjitha kohëve". Ai sqaron se edukata në respektimin e detyrimit ligjor nuk mund të lindë kurrsesi si vetëdije menjëherë, e të pranohet nga ndërgjegjja individuale pa reagim.
Po të mos ishte shtrëngimi i dhunshëm feudal, për të paguar detyrimin, nuk mund të lindej edukata borgjeze e pagimit të taksave, arsyetonte filozofi francez.
Ligji dhe legjislacioni shprehin formulimin teorik të marrëdhënieve juridike, administrative, pronësore dhe të kohezionit social. Ngacmimi real për të ndryshuar dhe përmirësuar ligjin apo legjislacionin vjen si një nevojë socialpolitike, morale, ekono-mike gjeopolitike. Tek e fundit, si një antropomarrëdhënie e edukimit juridik gjithëpoaq. Fillimisht, ngacmohet ndërgjegjja teorike e specialistëve të fushës së jurisprudencës, të cilët të parët vërejnë dritëhijet, ngecjet, ndeshjet dhe nevojën për ndryshimet e pritshme, të cilat kërkojnë përmirësim ligjor të funksionimit të shtetit dhe shoqërisë. Shoqëria nuk mund të presë kurrsesi që vetëdija intelektuale erudite dhe ajo profesionale e specialistëve të barazohet me atë të masës së gjerë antropologjike. Praktikisht kjo nuk mund të ndodhë. Arsyeja e thjeshtë është, sepse idetë progresive duhen materializuar institucionalisht në ligje, kode, rregullore apo forma të reja të organizimit institucional dhe shtetëror, me qëllim marrjen e misionit real të edukimit të shoqërisë, përmes ligjit dhe shtrëngimit ligjor të antropolo-gjisë.
Në një këndvështrim tjetër duhet ndriçuar përfundimi se edukimi juridik, që krijon shteti nuk mund të barazohet pa diferenca me edukimin shkollor dhe atë fetar. Edhe mjetet e informimit masiv nuk mund t'ia marrin këtë atribut shtetit, si kryeedukatori juridik i shoqërisë. Ky lloj autoriteti nuk e dobëson shoqërinë, përkundrazi, i jep asaj mundësi për mirëfunksionim, pasi nuk lejon që anarkia të marrë autoritet moral e qytetar.
Shtrëngimi ligjor ka edhe një efekt më tepër. Brenda tij është edhe ndëshkimi. Penalizimi në emër të ligjit ka efekte gjithëplanësore, si për atë që e vuan, por edhe për të tjerët, të cilët në këtë aspekt mbahen në vigjilim dhe nën kujdesin e "frikës", që të mos gabojnë e të ndeshen me ligjin, sepse mund të ndëshkohen administrativisht dhe penalisht.
Gjykimi juridik dhe vendimet ndëshkuese të gjykatave kanë efekte parandaluese dhe edukuese. Kjo është një lloj "frike racionale", që përthyhet në disiplinë, kujdes, edukatë, vigjilencë dhe vetëdije juridike për cilindo qytetar. Masa civile mbështet vendimet e gjykatës, pasi krimi i individit të penalizuar sjell pasoja negative dhe rrezikshmëri për të gjithë komunitetin dhe shoqërinë në tërësi. Por penalizimi gjyqësor paralajmëron dhe lejon gjithashtu të përvuajnë emocionalisht, qoftë edhe për një kohë të shkurtër edhe të tjerët. Kuptohet më mirë prej tyre se ç'do të thotë vuajtje dënimi, për atë që është ndëshkuar, qoftë me ndëshkim administrativ, qoftë me humbje të përkohshme të lirisë. Virtualisht kupton se çfarë mund të humbasësh në një rast të tillë paralel. Kur shteti është ekstremisht shtrëngues, diktatorial apo totalitar, atëherë i kapërcen kufijtë e racionales dhe shfaqet si një pasiguri psikike, angushti shpirtërore dhe pafuqi për mbrojtje sociale e juridike. Antropologjia në këtë rast është "e sunduar". Gjithsesi, edhe në këto rrethana, kur liritë dhe të drejtat e njeriut skajshëm janë të zvogëluara, edhe atëherë nuk mund të pretendojmë se nuk ka çfarë vlerësohet si e qenësishme, funksionale dhe e arsyeshme në mekanizmin e shtetit dhe veprimtarinë e tij shtrënguese. Ndëshkimi i krimit ordiner apo të llojeve antikombëtare, edhe në këto tipe shteti ka vlerë për njerëzit. Institucioni i frikës është raport reciprok i marrëdhënieve shtet-individ (shoqëri), sepse edhe shteti (shtetarët) kanë frikë, e ndiejnë atë. Pa dyshim, në momente revoltash popullore, manifestimesh sociale, kërkesash ekonomike dhe në periudhat e ndryshimit të sistemeve apo ndërrimit të kabineteve qeveritare, frika e "shtetit"-shtetarëve ndaj shoqërisë është më e dallueshme dhe më e spikatur. Është e pranishme kërkesa mbarëshoqërore për ndryshim dhe autoriteti e autoritarizmi bëjnë llogari pasojat që rëndojnë mbi ta. Periudhat e qeta dhe momentet pezull në skajet e ndryshimit nuk e kanë të pranishme frikën e shtetit ndaj publikut. Në kuptimin e përgjegjësisë për funksionin shërbyes dhe devotshmërinë e kompetencën e kryerjes së këtij detyrimi ligjor, aktorët e shtetit, si mekanizëm edhe antropologjik, e pranojnë këtë "frikë-përgjegjësi", por jo vetëm si një element të moralit të tyre civil dhe administrativ. Është gjendje dhe jo atribut, është konjukturë dhe jo sjellje e qëndrueshme! Ata e kanë të qartë se ligji i dënon edhe ata kur gabojnë dhe e shkelin atë me veprimtarinë e tyre funksionale e qytetare. Në shumë gjykata europiane, në ballë të aulave shkruhet: "Ligji është i barabartë për të gjithë". Gjykimi deri në kufijtë etikë është mëse i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Nëpunësi civil i nënshtrohet ligjit dhe çdo shkelje, në raport me keqzbatimin dhe keqinterpretimin e tij, ndëshkohet gjithëpoaq. Në shoqëritë e qytetëruara ai e ka pjesë reale të ndërgjegjes së tij leksionin shpagues se, çdo individ i nënshtrohet ligjit, pavarësisht nga rangu social apo posti që zë në shoqëri.
" ...Krimi i tyre është më i madh, sepse njëherësh edhe kanë qenë mosmirënjohës për hisen më të madhe që kanë sipas ligjit, dhe kanë shkelur besimin që u kanë dhënë vëllezërit e tyre". ( John Locke, "Traktati i dytë për qeverisjen", faqe 230).
Ndëshkimet e individëve, fort mirë të njohur në publik, për shkak të individualitetit apo postit zyrtar, përbëjnë ngjarje dhe krejt për këtë shkak të ngarkuar gjithëdrejtimesh, shoqëria ndërton një raport të saj të veçantë me ligjin. Institucioni i frikës racionale zmadhohet dhe ja përse, rastet të tilla peshkohen nga media për skup. Klima e përgjithshme tensionohet dhe rrit përgjegjshmërinë e përgjithshme antropologjike. Ndërsa përfshirja e zyrtarëve në procese të penalizimit juridik, ku është i mundur edhe dënimi, megjithëse duket si një lloj paradoksi, shteti (organet gjyqësore) ndëshkojnë individë të punësuar në segmentet e tij, ka një efekt shumë më të gjerë se në rastet e rëndomta. Penalizimi i njerëzve që punojnë në organet e drejtësisë është shprehje e vetëdijes dhe kurajës së shtetit ligjor kundër "autoritarizmit me kostum juridik".
Zë vend në këto raste vetëdija se, shteti ndëshkon pa kursyer edhe njerëzit e vet. Mëshira nuk vlen për falje, kur shteti "ndëshkon vetveten" apo abuzime të shfaqura në copëza të identitetit të vetë nga antropologjia e saj funksionale. Ky është vetëpastrim me autoritetin e ligjit.
Reagimi i shoqërisë civile vjen përmes një rishikimi rrjedhëkohe, analize shpotitëse dhe vlerësimi për ngjarje konkrete, nëpërmjet qëmtimit e investimit vlerësues subjektiv, ndaj besueshmërisë së artikuluar për subjektin konkret, përmes korrigjimit të emocionit të investuar për të ndërtuar një ikonë tjetër të idhullit moral. Zyrtari pa vlera ikën, largohet, ligji mbetet.
Ana tjetër është rishikimi i vetes, jo vetëm si bindje, por edhe si shërbim ndaj komunitetit e shoqërisë. Çka ka ndodhur si ngjarje, çfarë është nxjerrë në pah dukshëm si dukuri në shoqëri, bën as më shumë as më pak, shtytjen ndaj individit për korrigjim pozitiv të tij si qelizë sociale në shoqëri dhe aktor me vetëdije në komunitet e antropologji.
Penalizimi, qoftë edhe në çmitizimin moral që i bëhet figurës, deri dje të mirëbesuar, e thërret ndërgjegjen komunitare e individuale për vigjilim e syçelje. Parandalimi është kufilargu i qëllimshmërisë në veprimin e përditshëm të edukimit të individit votëdhënës.
Vesi individual bën dëm jo vetëm në kufijtë dhe parametrat individualë. Kur individi punon në administratën shtetërore, gjërat bëhen edhe më komplekse, sepse atje morali është ai i ligjit e i rregullit. Ky moral është një urdhër i epërm dhe i padyzueshëm. Ai nuk mund të marrë shfaqje subjektiviste përmes "interpretimit individual" ose në sajë të ushtrimit e përdorimit po të tillë subjektivistë. Ndodh që morali individual kërkon ta personalizojë pushtetin, ta urdhërojë mes veprimit (keqveprimit) ose mosveprimit (të qëllimtë), duke e nënshtruar urdhrin-moral të ligjit dhe moralin-urdhër të sjelljes, në përputhje me kërkesat e tij detyruese, në interes të keqpërdorimit voluntarist dhe autoritarizmit subjektiv të ambalazhuar me lëkurë ligjore. Kështu i ndërrohet misioni i shërbimit dhe deformohet substanca shoqërore e ligjit dhe e rregullit. Abuzivizmi me ligjin është forma më e keqe e tij. E gjithë kjo shpaloset kur përdorimi subjektivist i shërben interesit si vetinteres dhe vendimmarrja u largohet nevojave komunitare. Kalohet nga sundimi i ligjit tek nënshtrimi i tij.
Për t'ia siguruar vetes qetësinë, e cila mund të trembet nga kërkueshmëria e aktorëve socialë të përgjegjshëm dhe lojtarëve të spikatur e profesionalisht të zotë, abuzohet me ligjin duke e deformuar apo keqpërdorur atë si alibi, në mënyrë që abuzimi me të dhe përmes tij të jetë i fshehur tinëzisht, i pakontrollueshëm. Gjithëherët, gjithashtu figura morale të mbajë veshur kostumin e besueshmërisë. Hartimi i rregulloreve, normave administrative, parimeve institucionale e ligjeve juridike, si atmosferë dhe detyrim ligjor, me qëllimin e mbrapshtë keqpërdorimin e tyre në interes të abuzimit me fondet publike, tenderimit apo mekanizma të tjera pará-prodhuese, ose si shpagim ndaj kundërshtarit politik, janë sëmundje të shoqërisë së sotme, si në atë të traditës historike, ku është i instaluar shteti institucional, edhe në shoqëritë e reja që përpiqen të institucionalizohen duke iu larguar autoritarizmit. Korrupsion të tillë ka edhe në vendet e BE-së, edhe në ato që dëshirojnë të anëtarësohen në të, e që janë rrugës në këtë proces.
Rasti i Gjermanisë, me ish-kancelarin Helmut Kohl, mjaft i suksesshëm në këtë post, kur u zbulua se ishte krijuar një rrjet për sigurimin e fondeve përmes donacioneve jo legale, në dobi të partisë së tij Kristian-Demokrate, e detyroi atë të mos e mohonte këtë realitet të hidhur. Investigimet shkuan më tej në përcaktimin e gjerësisë dhe thellësisë së procesit gërryerës, çka lejoi që situata e krijuar të thirrej "korrupsion epidemik".
Gazeta liberale "Die Zeit" "trumbetoi në kryeartikullin e faqes së parë se "korrupsioni është duke e përpirë shtetin" ("News Week", 29 prill 2002, faqe 15)
Çdo vit me moton "Sa e pastër është pastërtia", bazuar në një hulumtim serioz për shkallën e korrupsionit në nivel qeverisjeje, paraqitet diagrami duke filluar nga niveli më i lartë i pastërtisë deri te niveli më i ulët i saj. Italia dhe Greqia vazhdimisht rreshtohen tek zona "të pista nga korrupsioni." Është për të mbajtur në vëmendje se Shqipëria është afër dhe kryen pjesën dërrmuese të marrëdhënieve tregtare dhe transaksioneve bilaterale me Italinë dhe Greqinë, të cilat bëjnë pjesë në grupin e parafundit, përsa i përket pastërtisë nga korrupsioni në organet qeverisëse. Nja nga fenomenet me mbështetje psikike dhe racionale i viteve të fundit është manipulimi me përgjegjësinë morale ndaj komunitetit, zgjedhësit dhe shoqërisë civile. Ndaj atyre që u je betuar, kur ju ke marrë "sovranitetin e deleguar" përmes votës, se do t'u shërbesh.
U ke marrë përsipër përgjegjësinë e të përkushtuarit ndaj interesave të tij, si grup apo si individ.
Ky funksion kryhet, ndaj nuk mund të injorohet apo anashkalohet. Krejt në të kundërtën duhet vigjiluar pa ndërprerje me qëllimshmëri të arsyeshme e të matur me motivet e saj.
Familjarizimi i shtetarit apo shtetarëve me abuzimin edhe me "anë të ligjit", qetësia olimpike e shtirur në ndërgjegjen individuale e atë profesionale, kanë arritur të ndërtohen përmes krijimit dhe përdorimit të mekanizmave mbrojtës-justifikues e mendjeprishës.
Gjithsesi, duhet pranuar se që nga politikanë të lartë deri te të ulët, mjeti më shumë i përdorur është "dyzimi i moralit" si mekanizëm. Përdorimi i pjesëve të tij për t'u vetëmbrojtur, duke e shndërruar nga mekanizëm botëkuptimor etik, në mekanizëm tregu e justifikimi. Nga autoritet moral është shkuar skajshëm në moralizim pa autoritet të respektuar dhe jo rrallë në autoritarizëm që servir moral të pabesueshëm. Prodhimi i moralit për të tjerët realizohet mes propagandës (si zhurmë e artikuluar që nuk besohet edhe nga farkëtuesit) dhe justifikimit, ku humbet përgjegjësia individuale konkrete, si gjilpëra në kashtë, e më keq akoma, bashkëshoqërohet me kontribute të paqena, të pompuara në ambiente sociale, mediatike dhe politike. Luhet me kartën e autoritetit të postit. Vihet në veprim teza spekulative "unë jam çfarë unë kam". Qëllimisht, individët abuzues kërkojnë të pronësojnë postin, statusin apo nivelin e delegimit, me qëllim mbrojtjen e shkeljes antiligjore. Që të zgjidhesh deputet duhet të jesh i pasur, të kesh mbështetje financiare, ndryshe nuk mundesh.
Imponimi përmes pranimit të negativiteteve në shoqëri, si pjesë e saj natyrale dhe jo si artikulim përgjegjësie dhe negativiteti, e dëmton shoqërinë, duke mos e lejuar që të vetëkorrigjohet.
Ajo mbytet me psikozën se të gjithë jemi abuzues, shkelës së ligjit dhe faktor antirregulli, ndaj nuk ka vend për opinion moral, pa le më për ndëshkim juridik.
Një antropologji e tillë, e helmuar nga psikoza se të gjithë jemi shkelës të rregullit, është në qorrsokak dhe rrezikon të bjerë si shoqëri, sepse humbasin vlerat, idealet dhe nxitësit progresivë të saj. Ky është dëmi më i madh që bën ky mekanizëm tinëzar.
Në këto rrethana, ka shumë rëndësi reagimi me anë të gjestit që shpalos marrjen e përgjegjësisë.
Rasti i dorëheqjes së Kryeministrit Wim Kok dhe gjithë qeverisë holandeze, me shkak pasivitetin e ushtarëve holandezë në Serbrenicë, që shpuri në operacionin sistematik për vrasjen e 7500 burrave dhe djemve myslimanë, ndodhi 7 vjet pas ngjarjes makabre.
Në dimrin e vitit 1996, kur ndodhi masakra, Wim Kok kishte qenë anëtarë i kabinetit qeveritar, por kur më 2002 po lexonte raportin, ai kishte lëshuar lot dhe tha: "Ishte një përgjegjësi e imja, çuditërisht apo jo?! Gjithsesi, unë mendoja se drejtësia do të vihej në vend për 30 000 gratë dhe fëmijët e Serbrenicës, të cilët ishin shkulur nga shtëpitë e tyre dhe ishin qethur prej burrave të tyre, prej djemve dhe vëllezërve".("News Week", 29 prill 2002, faqe 19).
Akti i tij dhe tërë qeverisë së dorëhequr u konsiderua si "një përgjegjësi fisnikërie", përballë mungesës së vullnetit nga Perëndimi për të rrezikuar ndonjë nga jetët e ushtarëve të tyre, timitidet ky që solli atë vijim tragjik të ngjarjeve në masakrën e tmerrshme.
Edhe shoqëria, përmes akteve të pakontrolluara, e godet shtetin, autoritetin dhe moralin e tij ligjor shtrëngues. Sa herë që goditen institucionet, jemi përballë një realiteti të tillë të patolerueshëm. Vrasja në këshillin bashkiak të një qyteti në Francë është shembull përligjës i përfundimit. Përfaqësuesi i një partie, i pakënaqur nga partneriteti i kolegëve, shpaguan me vrasjen e një numri këshilltarësh bashkiakë. Një nxënës në Gjermani, i përjashtuar nga shkolla, vret 14 nxënës e mësues. Një deputet në Shqipëri u vra, po ashtu një kryekomunar, një kryepolic dhe kështu më radhë, njerëz në detyrë dhe për shkak të detyrës, humbin jetën.
Shpagimi ndaj institucioneve është formë e një autoritarizmi të mbrapshtë, që vjen nga protagonizmi patologjik, shpesh anarkik. Ky lloj fenomeni, që përmes dukurive të kundërshtimit të moralit, autoritetit të ligjit dhe institucionalizimit e kthen antropologjinë në një situatë konfliktuale, mes shoqërisë dhe shtetit, meriton të mbetet i mbërthyer në vëmendje dhe analizë të pandërprerë. Çdo lloj tërheqjeje e shtetit apo vendimmarrje e tij, nën peshën e presionit dhe në kompromis me antirregullin, me qëllim për të shtyrë zgjidhjen e problemit në kohë, jo vetëm që e ul personalitetin e shtetit, por njëkohësisht e zhvesh atë nga autoriteti moral.
Pjesa e edukuar dhe e bindur e shoqërisë çorientohet dhe dekurajohet, ndërsa forcat jashtë hullive të disiplinës institucionale e dublojnë shtetin me organizma paralele dhe e vënë atë nën darën e të qenit i manipulueshëm e i frikësueshëm. Dukuri e kundërshtimit të hapur të autoritetit të shtetit, amoralizimit të tij dhe administratës është bojkotimi i zgjedhjeve.
Mund të thuhet se në vendet ku ka korrupsion apo kriminalitet, inkriminim të segmenteve vendimmarrëse, mospjesëmarrja në zgjedhje është leksion për tërheqje vëmendjeje dhe formë proteste. Por kur në një vend si Franca, në zgjedhjet presidenciale të para disa viteve marrin pjesë 28% e zgjedhësve, kjo lloj përgjigje nuk justifikohet me argumentet e lartcekura.
Do të përpiqemi të hedhim dritë mbi bojkotimin, si formë proteste dhe atributet që i jep këtij akti antropologjia. Historia vazhdon...!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›