"Lufta e Metës për karrigen e Kryeministrit"
Intervista/ Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, shprehet se shumë shpejt do të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit me PS-në, për zgjedhjet e ardhshme
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, është i sigurt se koalicioni i majtë nuk do të ketë nevojë që të bashkëqeverisë me LSI-në pas zgjedhjeve. Ai ka besim se nga përllogaritja paraprake e votave, por edhe rezultateve që japin sondazhet, rezulton se grupimi i majtë, pa LSI-në, do të arrijë të marrë numrin e nevojshëm të votave për të qeverisur. Madje, ai thekson se LSI-ja po kërkon që të marrë një numër të caktuar deputetësh, për të bërë më pas pazar për postin e Kryeministrit.
Z. Gjinushi, jemi gati 4 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në këto kushte, a ka nisur PSD-ja përgatitjet e saj për këtë garë elektorale dhe a i ka caktuar ajo kandidatët e vet?
Sigurisht, ashtu si edhe forcat e tjera, dhe ne kemi filluar përgatitjet tona madje edhe më herët, duke e ditur se sistemi zgjedhor do të përfundonte në një sistem me paraqitje proporcionale, ku çdo parti mbledh votën e vet me identitetin e saj. Duke u nisur pikërisht nga ky sistem, edhe PSD-ja ka nisur përgatitjet e veta për të përballuar këtë fushatë, sepse fitorja duhet sa më bindëse, pasi qeverisja e ardhshme ka për detyrë të rikthejë në normalitet të gjitha ato gjëra që janë shkatërruar nga mazhoranca dhe për këtë i duhet një mazhorancë e fortë dhe e qëndrueshme. Nisur pikërisht nga lloji i sistemit, dihet që ne do të hyjmë në kuadrin e një aleance, pra me PS-në, dhe qëllimi i parë është që ky grupim, së bashku me forcat e tjera që do t'i bashkohen, të dalë forcë e parë në qarqet kryesore dhe në numrin dërmues të qarqeve të vendit. Përveç kësaj, brenda koalicionit, PSD-ja do të kërkojë përfaqësimin e vet, pra pjesën e vet dhe, për shumë arsye, vlerësojmë se çdo votë për PSD-në, jo vetëm që është një votë për grupimin dhe fitoren e së majtës, por PSD-ja mund të jetë një nga elementët kryesorë taktikë për të thithur votat e të zhgënjyerve nga e djathta, madje edhe të shumë të majtëve, të cilët, për shkak të shumë problemeve që kanë ekzistuar brenda këtij spektri, kanë qenë të çorientuar, madje edhe të zhgënjyer herë pas here. Nga ana tjetër, forcimi i PSD-së sfumon disa forca pseudo të majta, apo disa që kërkojnë votën në të majtë, por që s'janë të tillë. Në këtë kuptim, dhe ne kemi kandidatët tanë dhe në çdo qark kemi përgatitur ekipin apo grupin e individëve që do të përfaqësojnë PSD-në, për fitimin e një apo dy mandateve, sipas fuqisë që kemi në qarqe të caktuara.
Në cilat qarqe i keni shanset më të mëdha?
Të gjitha qarqet kanë shanset e veta, pasi sistemi krijon të njëjtën shkallë vështirësie kudo, përveç zonave të Kukësit, Gjirokastrës, Lezhës dhe Dibrës, që, për shkak të numrit të vogël të mandateve, kuptohet që shkalla e vështirësisë rritet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se jemi jashtë loje, se përqindjet variojnë nga 5 deri në 10 për qind dhe këto janë përqindje që PSD-ja i ka marrë jo vetëm një herë. Për pasojë, një mobilizim i mirë mundëson luftën në të gjitha qarqet. Pozitivja është se, edhe nëse në ndonjë qark nuk marrim ndonjë kandidat tonin, kontribuojmë në rritjen e numrit të mandateve për të majtën.
Ju e keni bërë të qartë tashmë se do të dilni në zgjedhje në një koalicion me PS-në. Do të ketë një marrëveshje bashkëpunimi paraprake?
Marrëveshja është e karakterit politik dhe, sipas saj, ne mbetemi dy parti aleate, të gatshme të bashkëqeverisim. PS-PSD kanë që nga 1996-a që bashkëpunojnë, kanë përballuar '97-ën së bashku, kanë përballuar opozitën së bashku dhe e vetmja humbje që kemi pësuar që nga koha kur ka nisur ky bashkëpunim, ka qenë momenti kur u krijua LSI-ja. Dhe nuk është një rastësi që LSI-ja është një faktor i humbjes të së majtës, dhe nuk është një faktor i sinqertë brenda së saj dhe është e prirur të luajë negativisht. Me këtë frymë ajo kërkon të luajë edhe në vitin 2009 dhe ka filluar të shpalosë të njëjtën taktikë, atëherë kundra Nanos dhe Berishës dhe tani kundër Ramës dhe Berishës. Ndonëse thotë se është kundër Ramës dhe Berishës, opinioni sheh shumë qartë që, në fakt, Berisha vihet vetëm sa për alibi, se pastaj gjithë shigjetat janë kundër së majtës dhe kundër Kryetarit të PS-së dhe nuk janë kundër kundërshtarit të përbashkët. Në rast se katër vjet më parë vinim pas tetë vitesh qeverisjeje të majtë dhe mund të konsiderohej normale që LSI-ja të ishte kritike ndaj qeverisjes dhe jo opozitës, sot kjo është absolutisht e papranueshme, pasi vijmë pas katër vitesh qeverisjeje të djathtë korrupsioni dhe kriminaliteti të tipit mafioz.
Sipas jush, nga se nisen këto sulme të LSI-së ndaj PS-së dhe së majtës në përgjithësi?
E gjithë teoria e tyre është që të mbledhin të pakënaqurit, të bëjnë sikur gjithë fajet e 18 vjetëve i kanë të tjerët, pra, sikur këta s'kanë qenë pjesë e PS-së dhe, mbi të gjitha, ta identifikojnë të keqen tek dy individë. Pra, në 2005-ën tek Nano dhe Berisha dhe tani tek Rama dhe Berisha, dhe i vetmi njeri pozitiv mbetet lideri i saj, Ilir Meta. Kështu që, kjo është një lëvizje mashtruese, sepse në fund të fundit, zgjedhjet i fiton një krah dhe se politika përbëhet nga dy grupime. E tillë ishte situata edhe në 2005-ën, kur LSI-ja mashtroi elektoratin duke thënë se vota për të ishte votë për të majtën, gjë që nuk rezultoi e tillë, pasi ajo solli Berishën në pushtet. Të njëjtën gjë bëri dhe në zgjedhjet lokale, pavarësisht se u pozicionua më qartazi në krah të së majtës, menjëherë pas tyre, në këshillat e qarqeve dhe ato bashkiake, ka bërë lojën e dyzuar dhe ka bashkëpunuar më shumë me të djathtën sesa me të majtën, siç qe edhe rasti i bllokimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Kjo taktikë është kuptuar tashmë dhe LSI-ja do të luajë me mandatet e tyre nesër në pushtetin qendror, njësoj siç po luan sot me pushtetin lokal.
Njiheni në politikë si një kalkulues i mirë i situatave dhe zgjedhjeve politike. Nga ajo që keni parë çfarë, rezultati do të ketë LSI-ja në këto zgjedhje?
Roli i LSI-së është ai që thashë më lart, ajo kërkon të dalë një forcë kontrolluese dhe pastaj të bëjë pazarin e Kryeministrit. Kaq kërkon ajo, dhe nuk është një qëndrim politik, por një qëndrim për pazar. Në këtë situatë, kundërpërgjigja jonë është që të dalim si grupim politik forcë e parë, dhe tëra llogaritë dhe sondazhet na japin të drejtë të besojmë në këtë rezultat. Koalicioni ynë del forcë e parë me shumicën e mjaftueshme qeverisëse, pra 70 vende fitohen nga ky grupim dhe kjo mbështetet në reflektimin që kanë bërë votuesit e majtë nga ajo që ndodhi në 2005-ën, por edhe nga pakënaqësitë që kanë njerëzit nga qeveria e Berishës. Natyrisht që, duke parë dhe faktorët e tjerë, kemi bindjen se ky rezultat do të jetë edhe më i thellë.
Cilat janë forcat e tjera që do t'i bashkëngjiten këtij koalicioni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
PBDNJ-ja vlerësoj se do t'i bashkohet këtij grupimi, pasi në të gjitha zgjedhjet e fundit është rreshtuar me të majtën. Edhe në 2005-ën votat i ka marrë në krah të së majtës. Duhet theksuar se, edhe baza e PBDNj-së është e majtë. Prandaj, të gjitha këto na bëjnë që të vlerësojmë se PBDNJ-ja do të jetë një nga forcat e këtij grupimi fitues.
Ndërkohë që, në të djathtën, ditët e fundit është konkretizuar një koalicion i ri, ai i Polit të Lirisë. Sa do të ndikojë ai në këto zgjedhje?
Ne e prisnim këtë gjë, sepse për hir të së vërtetës, dihet që tashmë s'ka vetëm një grupim të djathtë, por ka një konglomerat forcash me programe diametralisht të kundërta. E djathta aktuale është katandisur deri aty sa ka krijuar aleatë Lufter Xhevelin, apo disa mbeturina të PAD-së. Pra, kërkon të mbahet tek fijet e barit. Në këtë situatë, patjetër aleatët tradicionalë dhe ata që duhet të ishin bërthama e së djathtës, do të zhgënjeheshin dhe do të shkëputeshin. Pra, janë pikërisht këto forca që po organizohen në një koalicion vërtetë të djathtë, që kanë një identitet dhe një minimum moral dhe pikërisht këto do të marrin pjesën e vet.
Si do ta vlerësoni lëvizjen që bëri ish-aleati juaj, Neritan Ceka, i cili deklaroi bashkimin me PD-në?
Që në fillim ne pamë që kjo qeveri u ngrit mbi imoralitet, siç ishte dhe afrimi i Partisë Agrare. Kështu që, ai e nisi me trafik dhe po e mbyll me trafik, pra e nisi me Xhuvelin dhe po e mbyll me Cekën. Kjo tregon se kjo e djathtë, që po na qeveris, nuk ka moral dhe se e nisi dhe po e mbaron mandatin duke u mbajtur me mbeturinat e së majtës.
Muajin e fundit janë bërë publikë rezultatet e disa sondazheve, por më i komentuar ka qenë ai i kompanisë amerikane Zogby, ku PS-ja dilte një forcë fituese me 37 për qind. Si do të përktheheshin këto përqindje në mandate?
Sondazhet, kur janë seriozë, tregojnë prirjet, por s'mund të tregojnë përqindjet e detajuara. Për sa i përket prirjes, dua të them se sondazhi i dhënë, pavarësisht se si parti s'na pëlqen fare, por ama në tërësinë e vet, është prirja që ne kemi lexuar gjatë gjithë fushatave zgjedhore. Unë jam pak a shumë i shifrave dhe ne dimë të lexojmë rezultatet përditë dhe, mbi këtë njohje, dua të them se rezulton se, 55 deri 60 për qind e shqiptarëve votojnë majtas. Dhe Zogby konfirmon që, 55 për qind janë me tendencë majtas, madje edhe tek të pashprehurit. Kështu që, në tendencën e kampeve, Zogby ka nxjerrë një rezultat që i afrohet dhe pritshmërisë tonë.