E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Urës Vajgurore, dorëzon teserën e LSI-së

Pas Gjikondit e Ndreut, largohet nga LSI-ja edhe kreu i degës së Urës Vajgurore, Syrja Ormenaj


Prirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të afruar në gjirin e vet të gjithë të larguarit që vijnë nga forcat e tjera politike, ka krijuar jo pak pakënaqësi brenda saj. Si pasojë e një politike të tillë që po ndjek lidershipi i kësaj force, kanë nisur të konkretizohen edhe largimet e para prej saj. Pas largimit të dy drejtuesve të lartë të kësaj force, anëtares së kryesisë, Brisilda Gjikondi dhe ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu, dje, të njëjtin vendim ka marrë edhe kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormenaj, i cili ishte njëkohësisht dhe kryetar i kësaj force për këtë qytet. Në një reagim për mediat, ai ka deklaruar zyrtarisht dorëzimin e teserës së anëtarësisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Siç edhe ka shpjeguar ai vetë, shkak ka qenë vija politike që ka ndjekur LSI-ja, si kundrejt forcave të tjera të majta, ashtu edhe me afrimin në gjirin e saj të të gjithë atyre individëve që, për arsye të ndryshme, janë larguar, kryesisht, nga PS-ja. Dhe këtu ai ka evidentuar pranimin dhe dhënien e posteve drejtuese të disa ish-ministrave socialistë, të cilët, sipas Ormenajt, kanë qenë njerëzit më të akuzuar për korrupsion edhe nga vetë LSI-ja në atë kohë. Madje, ai nuk ka nguruar të akuzojë kreun e LSI-së, Ilir Meta, se ka privatizuar këtë forcë. "Në më se një vit, LSI-ja është kthyer në oborrin personal të Ilir Metës. Sot më shumë se katër vjet, këta ministra mbetën simbol i paaftësisë, po vijnë rrotull Metës për t'i shërbyer Sali Berishës. Me keqardhje konstatojmë se çdo ditë më shumë po i afrohen LSI-së politikanë të vjetër të së shkuarës, që po e kthejnë LSI-në nga një forcë e re politike, në një forcë të politikës së vjetër", - u shpreh kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormenaj. Ndërkohë që, në të njëjtën kohë me largimin nga LSI-ja, ai ka bërë të ditur se do të bëhet pjesë e strukturave të PS-së, si një mundësi për t'u shërbyer më shumë qytetarëve që e kanë votuar. Ormenaj u zgjodh kryetar bashkie në Urën Vajgurore, edhe pse kishte kundra deputetin e zonës Luan Memushi, i cili ditët e fundit është bërë pjesë e strukturave të LSI-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›