Dënimet alternative, në prill nis mbikëqyrja
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, pas rreth një muaji pritet të funksionojë Drejtoria e Shërbimit të Provës, që do vëzhgojë zbatimin e dënimeve
Organi i ri, pritet të funksionojë në nivel qendror dhe fillimisht edhe në disa qarqe, ku do të nisë aplikimi i vuajtjes së dënimeve jo me burg
TIRANE- Brenda muajit prill të këtij viti, Ministria e Drejtësisë pritet të hapë Drejtorinë e Shërbimit të Provës, që duhet të mbikëqyrë dënimet alternative. Krijimi i këtij organi dhe zbatimi i dënimeve alternative, mund të jetë si zgjidhja e mundshme e uljes së mbipopullimit të burgjeve tona.Ky organ do të funksionojë në dy nivele: nivelin qendror, me një drejtori të përgjithshme dhe nivelin vendor, me drejtoritë lokale të vendosura pranë çdo gjykate në rrethe. Ngritja e një institucioni të tillë, që pritet të nisë punën në muajin prill të këtij vitit, konfirmohet nga Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë së Kodifikimit Ligjor, në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari. Sipas saj, së pari, do të ngrihet zyra qendrore dhe katër zyra vendore në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier. Sipas Xhaferllarit, ky organ do të këtë dy funksione kryesore: mbikëqyrjen e zbatimeve alternative, si dhe të ndihmojë personat e dënuar në kapërcimin e vështirësive, për riintegrimin e tyre në shoqëri. "Kjo do të arrihet duke vendosur kontakte me familjen dhe mjedisin shoqëror të të dënuarit, si dhe duke bashkëpunuar me organizatat joqeveritare", - shpjegon Xhaferllari. Sipas saj, Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur rregulloren që do të mundësojë funksionimin e këtij organi. Shërbimi i Provës, duke ndjekur përmbushjen e dënimit alternativ nga të dënuarit, ka të drejtë të raportojë përpara prokurorëve për shkeljet që ka kryer i dënuari apo dhe vlerësimin që ky shërbim ka për personat që mbikëqyr. Shërbimit të Provës, do të ketë të drejtë, të propozojë detyrime shtesë, për zgjatjen afatin e dënimit alternativ apo për të ndryshuar llojin e dënimit. Me ndryshimet e bëra në ligjin "Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale", Shërbimit të Provës i janë përcaktuar një sërë funksionesh. Kështu përveç mbikëqyrjes së zbatimit të masave alternative të vendosura nga gjykata, ky organ duhet të vendosë për mënyrën e kryerjes së dënimit për të gjitha format e dënimit alternativ. Është hera e parë që në Shqipëri ngrihet një organ i tillë, pavarësisht se dënimi alternativ, ka qenë parashikuar në Kodin Penal që në vitin 1995. Drejtoresha e Kodifikimit, sqaron se ndryshimet e bëra në Kodin Penal, si dhe në ligjin "Për Ekzekutimet Penale", synojnë që dënimet e kësaj kategorie të aplikohen.
Dënimet Alternative
Në pjesën Kodit të Procedurës penale parashikohet se të dënuarit kanë mundësi të kryejnë dhe forma të tjera ndëshkimi dhe jo vetëm burgim në qeli. Sipas ligjit, nga dënimet alternative, mund të përfitojnë një kategori e caktuar të dënuarish, masa e dënimit të të cilëve nuk vlerësohet e rëndë.
Një nga format e dënimit alternativ do të jetë gjysmëliria. Përfitues të këtij dënimi do të jenë personat që janë dënuar deri në një vit burgim, nëse është konstatuar se ata kanë detyrime lidhur me punën, arsimin, apo kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe përgjegjësi të tjera familjare. Personi i dënuar, që vuan dënimin në gjysmëliri, është i detyruar të kthehet në burg, pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut. Ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë parashikuar dhe vënien në provë të të dënuarve dhe nxjerrjen e tyre nga burgu, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale. Edhe ata të dënuar me një masë deri në pesë vjet dhe që paraqesin një rrezikshmëri të ulët në shoqëri, apo kanë probleme të tjera familjare, shëndetësore, mund të kenë mundësinë e tyre për të dhënë prova. Sanksionet nëse i dënuari nuk i respekton rregullat e përcaktuara nga institucionet përkatëse apo kryen një krim tjetër, duket se janë jo pak të ashpra. Gjykata mund të vendosë automatikisht një dënim tjetër ose rikthen dënimin e parë, ndërsa në ligj janë parashikuar edhe forma të tjerë të vuajtjes së këtij dënimi.