E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, Mjekët: Jo më operacione, nëse nuk merren masa

Ashtu siç janë bërë reforma në farmaceutikë, stomatologji, ashtu duhet të bëhen edhe në spital. Por të tilla reforma mund të bëhen nga ata, që e njohin thellësisht sistemin shëndetësor. Nga ana tjetër, reformën që duhet të ishte bërë shumë vite më parë mund ta bëjë vetëm ai që "familje" ka QSUT-në. Kjo deklaratë është bërë dje, nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, i cili pas protestës njëorëshe të mjekëve në QSUT dhe pas reagimit të profesorëve të qendrës në ambientet e kirurgjisë, ka theksuar se ngjarje të tilla kriminale s‘duhet të ndodhin më.

"Nëse nuk do të merren masa, do të ketë rrjedhje nga shteti në privat, ngjarje të tilla duhet ta ndërgjegjësojnë politikën shqiptare dhe shoqërinë për nevojën e reformave të vërteta, të ideuara dhe të drejtuara nga profesionistë, nga profesorati i mjekësisë shqiptare dhe jo nga struktura që abuzojnë me idenë e reformave, duke përbaltur figurën e punonjësve të shëndetësisë", tha Priftanji. Nga ana tjetër, kardiologu Veli Zoto, në emër të mjekëve, deklaroi se edhe në rastet kur ka apo nuk ka mitëmarrje, pacienti nuk është privuar asnjëherë nga shërbimi mjekësor. Dje, spitali "Nënë Tereza" ka pezulluar të gjitha operacionet e planifikuara. Ideja e protestuesve ka qenë të pezullonin pa afat ndërhyrjet kirurgjikale. Por edhe njëherë kanë menduar t‘u japin shansin dhe kohën për reflektim, strukturave përkatëse, derisa ata të prononcohen për marrjen e masave konkrete. Në rast se nuk do të ketë reagim, atëherë do të kemi përshkallëzim të protestave dhe ndërprerje të operacioneve pa afat. Pesë kirurgët më të njohur të QSUT-së, kanë menduar që pezullimi i operacioneve do të jetë pa afat të përcaktuar. Por jo vetëm kaq, dje mjekë përfaqësues të shëndetësisë, kanë këmbëngulur që QSUT-ja të mbrohet me status të veçantë, në mënyrë që mjekëve të kësaj qendre t‘u ofrohet më shumë siguri. Protestës së mjekëve të spitalit civil i janë bashkuar dhe bluzat e bardha të Spitalit Ushtarak. Edhe në spitalin e Fierit, mjekët kanë protestuar duke dënuar aktin kriminal në kurriz të kardiokirurgut. Por ndryshe nga Tirana, pacientët dhe familjarët e tyre i janë kundërpërgjigjur protestës duke akuzuar mjekët, si "kasapë, të korruptuar dhe hipokritë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›