E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e pakuptimtë me arbanas (II)

Lideri dhe teoricieni socialdemokrat serb, Dimitrije Tucovic (1881-1914), i përshkuan synimet e fshehta të Serbisë ndaj shqiptarëve (arbanasve) në kohën e rënies së Perandorisë së Austro-Hungarisë. Ai kritikon qasjen krejtësisht të gabuar të burokracisë dhe pushtetit serb ndaj shqiptarëve, ndaj gatishmërisë së tyre për bashkëpunim, dhe ndaj synimit për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Të gjitha këto veprime Tucovic i sheh si minim (të qëllimshëm) të mundësisë për arritjen e një pajtimi gjithë-ballkanik.

Para 10 viteve, më 1903, ishin pikërisht Austria dhe Italia që mes veti e përmbyllën marrëveshjen mbi ndarjen “e sferave të ndikimit” në Shqipëri, dhe që e përcaktuan një autonomi të Shqipërisë nën protektoratin e tyre, si zgjidhjen më të përshtatshme të çështjes së arbanasve për interesat koloniale të Austrisë dhe Italisë.

Nga ana tjetër, arbanasit, para 9 viteve, për arsye të tyre, dhe pa marrë asnjë sinjal nga Beogradi, dërguan një delegacion të tyre në Beograd për të kërkuar një bashkësi (me Serbinë) – një bashkësi kjo që, madje, nuk do ta angazhonte fort Serbinë. Arbanasit llogarisnin në fuqinë e tyre për t’u çliruar, e nga Serbia kërkonin vetëm përkrahje dhe gatishmëri për punë të përbashkët pasi të çlirohen, si dhe një ndihmë morale për përpjekjet e tyre për konstituimin e një shteti kombëtar.

Se sa seriozë, të sinqertë dhe të disponuar ishin për krijimin e një bashkësie me Serbinë e vërteton edhe fakti se: delegatët kërkuan që t’iu emërohej një princ serb si kryesues i shtetit. Ata, madje, me vete i sollën edhe dy palë rroba të shtrenjta e të dekoruara arbanase, bashkë me armët arbanase. Me këto rroba e armë, dhe me plisin e bardhë arbanas, ishte fotografuar edhe princi i dedikuar, ndërsa delegacioni arbanas këto fotografi i kishte marrë me vete, si dëshmi se ‘u arrit bashkësia me Serbinë’.

Ne nuk kemi kurrfarë simpatie për monarkinë, e përgjithësisht as për princërit, kështu që s’kemi kurrfarë simpatish as për atë që një princ serb do të mund të ishte kryesues i përgjithshëm i arbanasve. Por, ky fakt duhet të merret parasysh, ngase: në atë moment arbanasit s’mund të paramendonin asnjë formë tjetër shteti pos monarkisë, prandaj edhe kërkuan një prijës për monarkinë e tyre të ardhshme. Por, për neve më me rëndësi janë disa rrethana tjera këtu: se arbanasit kërkuan një bashkësi me Serbinë; se e kërkuan për arsye të veta por sinqerisht, dhe pa asnjë spekulim të fëlliqur; se, në fund, atyre iu premtua kjo bashkësi; se dhuratat e tyre u pranuan; se një princ u fotografua si arbanas; dhe se ato fotografi, pastaj, iu dhanë delegacionit si dëshmi se marrëveshja u arrit.

Përse nuk u vazhdua puna e mëtutjeshme me arbanas? Përse nuk u mbajtën lidhjet me ta? Përse qeveria serbe i përshëndeti me plot mirëkuptim marshimet e xhonturqve, të cilat ishin dërguar për shuarjen e përgjakshme të kryengritjeve arbanase?

Pavarësisht gjithë saj, edhe kur, në verën e vitit të kaluar, arbanasit filluan të organizonin kryengritje për autonominë e tyre, ata sërish iu drejtuan Serbisë për të punuar bashkë. Udhëheqësit e tyre, të cilët nuk deshën të largoheshin as atëherë kur nëpër viset e tyre ushtria serbe filloi të hynte si pushtuese, janë ende gjallë. Ata do të konfirmojnë se: ndërmjet tyre dhe z. Pashic ishe arritur një marrëveshje që Serbia t’i ndihmonte Shqipërisë për arritjen e pavarësisë së saj, ndërkohë që Shqipëria pastaj do t’i ndihmonte Serbisë që të mbrohej nga fqinji i saj verior. Për këtë arsye arbanasve në Prokuple dhe Kurshumli iu ndanë 60,000 pushkë dhe gjithë municioni i nevojshëm.

Por, me shpalljen e luftës kundër Turqisë, arbanasit menjëherë u trajtuan si armiq.

Le të mos na thuhet se kjo erdhi si pasojë e asaj që arbanasit rezistuan në Merdare! Edhe para kësaj beteje komitët ishin lejuar që t’i sulmonin arbanasit, për t’iu sinjalizuar kështu se ata do të trajtoheshin si armiq, e jo si aleatë. E kur të jepet një sinjal i tillë, atëherë nuk është kurrfarë çudie që ata u vënë më pozicionin mbrojtës.

Meqenëse në këtë mënyrë u prish çfarëdo marrëveshje me arbanasit, dhe meqenëse kundër tyre u ndërmor një nga sulmet më të pafytyrë pushtues, shumë shpejt erdhën edhe veprimet që janë pasojë natyrore dhe e pritshme e pushtimit: arbanasit filluan që sporadikisht të hakmerreshin për gjakun e derdhur, ndërkohë që, si përgjigje, atyre filluan t’iu shkatërroheshin fshatrat, dhe ata vetë të vriteshin masovikisht!

Kështu pra, udhëheqësit e Serbisë i dëbuan dhunshëm abranasit drejt përqafimit të Austrisë e Italisë, megjithëse ata dëshironin të shpëtonin nga ky përqafim austro-italian dhe me Serbinë të lidhnin një aleancë të fuqishme e afatgjatë.

Por tani, pasi po e shohin që shteti i pavarur i Shqipërisë është çështje e kryer, udhëheqësit tanë do të duhej jo vetëm ta pranojnë gabimin e pafalshëm, por edhe që të tentojnë të pendohen për të, duke krijuar marrëveshje afrimi mes Serbisë e Shqipërisë, për të filluar kështu një punë të përbashkët, dhe për të krijuar një aleancë më intime ekonomike e politike.

Sigurisht që tani, pas gjithë asaj që iu është bërë arbanasve, kjo punë është tejet e vështirë. Por, nuk është edhe e pamundur. Arbanasve, të cilët për aq gjatë po punojnë në pavarësinë e tyre, dhe të cilët për këtë arsye u ngritën në kryengritje të shumta e të përgjakshme, nuk ua ka pirë sorra mendtë: meqë me sinqeritet ia dëshirojnë pavarësinë shtetit dhe popullit të tyre, ata do të pranonin një kombinim të sinqertë të një bashkësie ballkanike, e cila nuk do t’i nënshtronte ndaj asnjë pushtuesi ballkanik, dhe e cila do t’iu ofronte garancitë që s’do të shndërroheshin në pre të plaçkitësve kapitalistë – Austrisë e Italisë.

Serbia, e bashkë me të edhe shtetet e tjera ballkanike, duhet t’i vendosin bazat e sinqerta, të ndershme dhe të fuqishme të një bashkësie ballkanike, të cilës pastaj do t’i bashkëngjitej edhe Shqipëria – pa asnjë dyshim. Në një bashkësi të tillë, garanci për të gjithë popujt ballkanikë, përfshirë këtu edhe arbanasit, paraqet pavarësia e tyre. Pa një bashkësi të tillë do të shkatërrohemi të gjithë, disa më herë e disa më vonë, përfshirë këtu edhe arbanasit. Të ndarë, të copëtuar, të lëndueshëm dhe armiqësisht të disponuar ndaj njëri-tjetrit, ne në Ballkan vetëm do t’ia hapim varret njëri-tjetrit, por për interesa të huaja.

*Burimi: „Radničke novine", nr. 26-27, 28 shkurt dhe 1 mars 1913. Përgatiti Damjan Pavlica; përktheu dhe përshtati Faton Raçi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›