E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ronaldo rrezikon karrierën nëse luan me Portugalinë"

Lufta ndërmjet Realit të Madridit dhe Portugalisë ka kaluar nga deklaratat te faktet. "Molla e sherrit" është pikërisht Kristiano Ronaldo, lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Trajneri i përfaqësueses luzitane, Karlos Kueiroz, e ka mbajtur fjalën, duke e përfshirë mesfushorin në skuadrën që do të luajë dy sfidat "play-off" (më 14 dhe 18 nëntor) kundër Bosnjë-Hercegovinës. Kjo, pavarësisht faktit se 24-vjeçari nuk luan prej një muaji, e duhet të qëndrojë edhe disa javë pushim përpara se të zbresë në fushë. Kueiroz shpreson që Ronaldo të luajë të paktën në sfidën e dytë, por në Madrid janë shprehur kategorikisht kundër grumbullimit të "Lojtarit më të Mirë" për vitin 2008. E përditshmja sportive, "Marca", theksonte se drejtuesit e Realit kanë vendosur të mos e lejojnë Ronaldon t‘i bashkohet Kombëtares. Klubi, që ka edhe mbështetjen e FIFA-s, deklaroi: "Ronaldo nuk lëviz. Lojtari është informuar për vendimin. Edhe pse ai mund të dëshirojë ta ndihmojë Kombëtaren, dëmtimi nuk e lejon të luajë dhe gjëja më e mirë është të qëndrojë në Madrid".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›