Lufta e përgjakshme e Assad-it, shqiptarët që ranë për lirinë e Sirisë
Kosovë- 22-vjeçari shqiptar i Kosovës Muhamet Koprova është viktima e rradhës në Siri, i vrarë në luftën kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Assad. I riu nga Mitrovica është vrarë javën e kaluar duke luftuar ne krah të forcave rebele. Mendohet se Koprova, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë në Suedi me familjen e tij, ka qenë pjesë e një grupi ekstrem fetar. Kjo është arsyeja pse ai është bashkuar me forcat rebele që operojnë në Siri.
E përditshmja ‘Koha Ditore’ raporton se deri tani 10 shqiptarë kanë humbur jetën në luftën siriane. Tetë prej tyre janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, ndërsa dy të tjerë janë shtetas sirianë me prejardhje nga Kosova. Mësohet se i pari është vrarë kosovari Naman Demolli, pastaj Musë Ahmeti, shqiptar tjetër nga Terrnoci i Kosovës Lindore, Ebu Omer-El Albani nga Shqipëria dhe Muhamet Koprova i lindur në Kosovë i fundit. Dy shqiptarët me shtetësi siriane janë Mynyr Arnauti dhe Behlul Arnauti.
Katër shqiptarë të tjerë nga Shqipëria janë vrarë, por ende nuk kemi konfirmime zyrtare për identitetin e tyre. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të përfshirë në luftën siriane besohet se është 140,- është shprehur një burim i ‘Koha Ditore’.