E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e shqiptarëve, pa fitues

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 12:35

Derbi zviceran ndërmjet Zurichut dhe Baselit, i cili ka rëndësi të veçantë, pasi në të dyja ekipet luajnë futbollistë shqiptarë, ka përfunduar baras, 2:2.

Këtij barazimi i është gëzuar më shumë Zurichu i Admir Mehmedit dhe Adrian Nikçit, pasi që ky ekip mbetet në pozitën e parë në AXPO Superligën zvicerane, me pikë të njëjta me përcjellësin kryesor, njëherësh kundërshtari i së mërkurës mbrëma, Basel.

Pikërisht mesfushori Nikçi ishte njëri prej shënuesve për vendësit. Ai insiston se Zurich ishte bindshëm më i mirë dhe se e meritoi ta fitonte takimin. “Baseli nuk e pa topin. E patëm mundësinë ta vendosnim lojën në pjesën e parë”, tha ai.

Alexander Frei realizoi dy gola për Baselin, kurse për Zurichun, përpos Nikçit, shënoi edhe Djuric. Ndërkohë, sulmuesi i Zurichut, Admir Mehmedi beson se ky rezultat i shkon për shtati ekipit të tij, nëse i fiton tri ndeshjet e mbetura të sezonit, me ç’rast do të shpallej automatikisht kampion.

“Tri ndeshje, 9 pikë. Kjo do të ishte e mjaftueshme për t’u shpallur kampion në fund”, tha sulmuesi kosovar.

Mehmedi luajti gjatë tërë ndeshjes, kurse Nikçi u inkuadrua në lojë në minutën e 62-të në vend të Djuric. Kurse te Baseli, Xherdan Shaqiri luajti gjatë tërë takimit dhe u ndëshkua me karton të verdhë, derisa vëllezërit Granit e Taulant Xhaka u inkuadruan në pjesën e dytë. I pari në minutën e 74-të në vend të Zoua, kurse i dyti në atë të 89-të në vend të Frei.

Pas 33 xhirosh të zhvilluara në kampionatin zviceran, prinë Zurich me 66 pikë, sa ka edhe Basel, që është i dyti. Xhiron e ardhshme, Baseli do të jetë mikpritës i Thunit, derisa Zurichu do ta vizitojë Grasshoppersin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›