Lufta kundër diskriminimit të romëve, OSBE trajnon 26 mësues
Diskriminimi i romëve në Evropë është tepër i lartë, por më i theksuar ai është në Evropën Juglindore.
Për këtë arsye OSBE- ja ka trajnuar në Tiranë 26 mësues, kundër diskriminimit të këtij grupi shoqëror.
Sipa zyrës së shtypit të OSBE- së, ky kurs është pjesë e projektit të Praktikave më të Mira për Integrimin e Romëve (PMIR) zhvilluar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe u ndoq nga mësues nga i gjithë rajoni, të caktuar nga ministritë përkatëse të arsimit. Këta mësues punojnë në shkolla, ku shumica e nxënësve janë romë, ose ku ka pasur raste të raportuara diskriminimi.
Ky trajnim është vetëm fillimi i një pune të projektuar për ti pajisur mësuesit me mjete dhe metoda për të luftuar diskriminimin në shkolla”.
Kjo është një mundësi për të përdorur në praktikë metodat e trajnimit që kemi zhvilluar në një manual të hartuar posaçërisht për këtë qëllim. Ky manual do ti ndihmojë ata që të adresojnë çështjet e diskriminimit në shkollat e tyre- tha Judith Kiers, menaxhere e projektit PMIR
Në hartimin e programit të trajnimit dhe në krijimin e manualit dhanë një kontribut të konsiderueshëm Shoqata Ndërkombëtare Step by Step (ISSA), Fondi i Arsimit për Romët (REF) dhe OJF-të si Qendra e Arsimit të Romëve nga Serbia dhe Romani Baxt nga Shqipëria.
Duke pasur parasysh ngjashmëritë midis vendeve të rajonit, kjo ishte një mundësi shumë e mirë për shkëmbim inormacioni dhe përvoje, tha Sonja Trifunoviç, mësuese e një shkolle 9-vjeçare nga Serbia, e cila mori pjesë në trajnim.
Kursi u organizua nga projekti PMIR, me mbështetjen e zyrave lokale të OSBE-së në Evropën Juglindore, sidomos të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. PMIR-i është një projekt rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian, mbështetur nga Shtetet Pjesëmarrëse të OSBE-së dhe i zbatuar nga OSBE/ODIHR-i. Qëllimi i këtij projekti është që të kontribuojë në integrimin e romëve në vendet e këtij rajoni, duke reflektuar angazhimet që këto vende kanë marrë përsipër si Shtete Pjesëmarrëse të OSBE-së dhe përpjekjet e tyre për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Projekti nxit programet novatore për promovimin e një pjesëmarrjeje më të madhe të romëve në jetën politike dhe publike dhe në vendimmarrje, më shumë akses në ndihmën ligjore dhe kushte më të mira jetese. Lufta kundër diskriminimit është një tjetër synim i rëndësishëm i projektit.
/IDEA/