Nishani në Kosovë, vijon takimin me zyrtarët vendas
Kosovë- Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Kosovë, Presidenti Bujar Nishani ka zhvilluar sot një takim me Zv/kryetarin e AAK-së, Blerim Shala si dhe me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sipas zyrës së shtypit të presidencës, Nishani ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në skenën politike, pa harruar të vërë në dukje rolin dhe sakrificat sublime të udhëheqësve të saj gjatë luftës për liri dhe pavarësi. Ai vlerësoi gjithashtu maturinë dhe angazhimin e AAK-së në arritjet dhe përballjet me sfidat aktuale të Kosovës për konsolidimin e shtetit të ri, institucioneve të tij si dhe integrimin euro-atlantik.
Ndërsa gjët takimit me kreun e VV- së, Nishani u shpreh se Kosova është një realitet i pakthyeshëm sot për shtetet fqinjë të saj, për rajonin dhe Evropën, një realitet i njohur gjerësisht nga ndërkombëtarët, por, në të njëjtën kohë, është edhe një realitet i ri për qytetarët e saj. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani vuri në dukje se përkushtimi e angazhimi i politikës dhe udhëheqjes kosovare, bashkëpunimi mes partive politike për të ofruar një vizion sa më transparent e largpamës, janë një domosdoshmëri dhe kërkesë e këtij realiteti të ri të pamohueshëm, në mënyrë që tu shërbehet interesave të qytetarëve të Kosovës si dhe interesave madhore të kombit.
Po sot paradite, në Prishtinë Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi takime të veçanta me një delegacion të zgjeruar shqiptarësh nga Lugina e Preshevës si me drejtuesit e partisë Aleanca Kosova e Re, më saktësisht me nënkryetarin e saj, Ministrin e Diasporës Ibrahim Makolli.
Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, pasi shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti shqiptar, kërkuan një bashkëpunim dhe përkrahje më të madhe për zgjidhjen e problemeve të tyre si: qarkullimi i lirë i qytetarëve, mungesa e prespektivës për punësimin, njohja e diplomave, diskriminimi dhe shpërngulja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen që duhet të ketë çdo shqiptar për vetëmohimin dhe qëndresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Pasi i dëgjoi shqetësimet e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, u pajtua dhe theksoi se është vënë në dijeni për përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomave, çështje që po shkon drejt zgjidhjes.
Presidenti Nishani takohet me Zv/ kryeministrin kosovar, Sllobodan Petroviç.
Më herët Nishani zhvilloi një takim me zv/kryeministrin e Kosovës, Sllobodan Petroviç, ndërsa në qendër të bisedës ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nishani dhe Petroviç vunë në dukje angazhimin e plotë të Shqipërisë dhe Kosovës për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të një niveli të lartë marrëdhëniesh, prioritet ky i bazuar mbiparimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian.
Gjatë një deklarate të përbashkët për mediat, Nishani u shpreh se reformat që po kryen Kosova kanë ardhur në sajë të kontributit të gjithë qytetarëve dhe institucioneve.
Në takimin me zotin Petroviç gjeta rastin të nënvizoj faktin e një shembulli pozitiv të bashkëpunimit, të bashkëjetesës dhe të kontributeve të njësuara për Kosovën, për të ardhmen e saj si dhe për të ardhmen e çdo qytetari të këtij vendi. Shpreha gjithashtu edhe vlerësimet e mia për kontributin personal të zotit Petroviç, të partisë së tij një kontribut i cili shkon në interes të Kosovës, të qytetarëve të saj, të atyre të kombësisë serbe, por edhe të çdo qytetari tjetër të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e shkëlqyer dhe e ardhmja e Kosovës u përket gjithë qytetarëve të saj- tha Nishani.
Presidenti Nishani nderon veprën heroike të Adem Jasharit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, përkujtoi dhe nderoi sot veprën heroike dhe sakrificën sublime të Komandatit legjendar Adem Jashari dhe familjarëve të tij duke vizituar Kompleksin Adem Jashari në Prekaz ku u prit nga vëllai i të ndjerit dhe anëtarë të tjerë të familjes. Në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz u vendos një kurorë me lule në emër të Kryetarit të Shtetit shqiptar.
Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë për komandantin legjendar Adem Jashari, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh: Kjo është pjesa më emocionale e vizitës. Është momenti kur ne shohim se si sakrificat e mëdha sublime që u bënë nga Komandanti Adem Jashari, nga të gjithë luftëtarët që ranë për liri, sot janë kthyer në një realitet, i cili na motivon për të ecur të gjithë përpara, për të parë nga e ardhmja dhe nga zhvillimi.
Më pas, gjatë vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës dhe delegacioni që e shoqëron, mori pjesë në takimin e zhvilluar në qytetin e Pejës me drejtues të Komunës si dhe me përfaqësues të biznesit të Kosovës.
K.Topalli/IDEA