E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta kundër drogës, Uollfarth: Vendorët të bashkëpunojnë

Ambasadori i OSBE-se, Eugen Uollfarth

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth, ka kërkuar bashkëpunimin e komunitetit  dhe autoriteteve vendore në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Sipas kreut të prezencës së OSBE-së, policia nuk mund të bëjë gjithçka e vetme, ndaj mbështetja e pushtetit vendor është vendimtare.

Eliminimi i kultivimit të narkotikëve është çështje me interes kombëtar. Kultivimi i paligjshëm sjell me vete edhe krime të tjera. Drogat e paligjshme përbëjnë një plagë dhe lufta kundër tyre ka qenë ndër përparësitë kryesore të autoriteteve shqiptare që nga viti 2002. Policia është e angazhuar, janë bërë përmirësime, por të tjera probleme presin zgjidhje, si kultivimi në disa komuna në veri dhe jug. Policia nuk mund të bëjë gjithçka e vetme.

Mbështetja e pushtetit vendor është vendimtare. Realiteti na mëson se policia nuk mund të arrijë asgjë pa bashkëpunimin e komunitetit. Duam ti shohim aktorët vendorë të përfshirë. Bashkitë e kanë detyrim ligjor të bashkohen në luftën kundër drogës. Bazuar në mandatin tonë, prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështesë në këtë luftë. Arritjet tuaja do të ndihmojnë për të shtruar rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt, tha Uollfarth.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se në krahasim me vitet e kaluara, ka rënie të sekuestrimit të heroinës, ndërsa trafiku i kokainës mbetet një sfidë e madhe. Nishani pranoi se Shqipëria mbetet ende vend i kultivimit të kanabisit, e cila eksportohet drejt vendeve të rajonit.

Gjatë 2011, sipërfaqet e kultivuara dhe prodhimi i kanabisit kanë pasur tendencë në rënie. Është ulur numri i bimëve me afërsisht 5 herë. Janë sekuestruar mbi 2 tonë. Janë kryer 6 operacione ndërkombëtare, me 7 të arrestuar. Në përballjen me trafikun e drogës, i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi me ndërkombëtarët, tha Nishani. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›