Lufta kundër kriminalitetit, Kroacia bashkëpunim me Shqipërinë
Tiranë- Shqipëria dhe Kroacia angazhohen të bashkëpunojnë në rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër kriminalitetit dhe veprimtarive të paligjshme.
Zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme njofton se ministri Flamur Noka, gjatë punimeve të takimit të ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, u takua me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Ranko Ostojic.
Ministri i brendshëm shqiptar, vlerësoi rolin e Kroacisë, e cila edhe pse me statusin e vëzhguesit, luan një rol të rëndësishëm për forumin, por edhe për gjithë rajonin.
Noka i prezantoi kolegut kroat Ostojic arritjet kryesore në fushën e luftës kundër kriminalitetit, forcimit të rendit e sigurisë publike,, por edhe mirë menaxhimit të kufijve.
“Shqipëria ka krijuar një klimë shumë pozitive bashkëpunimi policor jo vetëm me vendet fqinje, por dhe ato të Bashkimit Europian. Këto përpjekje kanë bërë të mundur që Shqipëria tashmë te jetë një vend i sigurt, partner luajal dhe mbi të gjitha faktor sigurie dhe stabiliteti në rajon e më gjerë”, theksoi ministri Noka.
Edhe kolegu kroat Ostojiç vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, si edhe rolin e saj për krijimin e një klime frytdhënëse bashkëpunimi në të gjithë rajonin. “Kroacia do të jetë gjithmonë në krah tuaj, për të gjitha sfidat që ju keni para. Ne do t’u japim mbështetjen e plotë në rrugën drejt integrimit përfundimtar në BE”, u shpreh ministri Ostojiç.
Dy zyrtarët diskutuan dhe mbi organizimin strukturor të policive shqiptare e kroate dhe mbi shkëmbimin e përvojave dypalëshe për një ristrukturim të tyre në shërbim të rritjes së eficencës dhe efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit dhe veprimtarive të paligjshme.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: