Berisha: Shqiptarët, të bashkuar në Evropë
Ekspozohen në Selinë e Këshillit të Ministrave portretet e 40 firmëtarëve të pavarësisë
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, në mjediset e Këshillit të Ministrave u hap dje në mbrëmje ekspozita e portreteve të 40 firmëtarëve të deklaratës së pavarësisë, të piktorit Arben Morina.
Ekspozita, u organizua nën kujdesin e Kryeministri Sali Berisha, i cili nderoi familjarët e firmëtarëve dhe theksoi se ashtu si ata u bashkuan 100 vjet më parë për Shqipërinë e pavarur, ashtu duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët në Evropë.
“40 shenjtorët e pavarësisë, meritojnë plotësisht t’i quajmë të tillë, bënë përpjekje të jashtëzakonshme për konsolidimin e shtetit shqiptar, por periudha më pas, do të ishte një kalvar i vërtetë për shumicën e tyre. Themeluesit e pavarësisë, burri i madh vizionar, me një kurajo mbinjerëzore, që në momentin më kritik kuptoi se Pavarësia ishte akti i vetëm që mund të shpëtonte kombin shqiptar nga katastrofa e madhe që po e priste. E syrgjynosën për faktin e vetëm se nuk po pajtohej kurrsesi me kufijtë që donin ti përcaktonin Shqipërisë. Të tjerët patën fat tragjik nga regjimi i kaluar. Disa prej tyre u ekzekutuan, të tjerë morën rrugët e mërgimit. Sot pas 100 vitesh, ëndrra e tyre për një komb shqiptar të lirë, është një realitet. Shqiptarët janë të lirë në të gjitha vendet ku ata jetojnë. Shqipëria është anëtare e NATO-s, po bën përpjekjet më serioze për të ecur drejt Bashkimit Evropian, për të shndërruar në realitet ëndrrën Evropiane të rilindësve tanë. Por sërish shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe natyrisht, ata që vendosën firmën mbi Aktin e Pavarësisë, për vërtetësi historike, çdo shqiptarë duhet ta ketë të qartë se ata e vendosën atë firmë në emër të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike. Ndaj dhe një detyrim madhor del para shqiptarëve sot, që në projektin e tyre Evropian të bëjnë gjithçka për tu bashkuar njëri me tjetrin”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ekspozita me portretet e 40 firmëtarëve të pavarësisë do të qëndrojë e hapur për qytetarët deri më 30 nëntor 2012.