E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria evropiane, ëndërr fisnike - le të vazhdojmë në këtë rrugë”

25-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha u bashkohet festimeve të Bashkisë së Beratit

Kryeministri Sali Berisha u bë dje pjesë e aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, nga Bashkia e Beratit. Në këto aktivitete merrnin pjesë deputetë të Qarkut të Beratit, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe shumë qytetarë të mbledhur në shesh. Çelja e aktiviteteve nisi në Sheshin Qendror të qytetit me Koncertin Festiv të performuar nga grupet rinore dhe grupet folklorike.
Më pas, kryeministri Berisha i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi dhe autoritetet e tjera, së bashku me qytetarë të shumtë përshkruan në këmbë shëtitoren e qytetit, për të bërë homazhe tek Busti i Babë Dud Karbunarës 1842- 1917, një nga firmëtarët e deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pas vendosjes së kurorës me lule tek busti, Kryeministri Berisha vizitoi Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në hollin e të cilit ekspozohej  Kodiku i Purpurt i Berat shek. VI. Ai gjithashtu vizitoi ekspozitën e çelur me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë ku ekspozoheshin 111 piktura, fotografi dhe vepra të tjera arti të realizuara nga 97 autorë të ndryshëm shqiptarë.
Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve, kreu i qeverisë Berisha vlerësoi se, “Berati, në pavarësinë e Shqipërisë luajti  ndër rolet më kryesore me figurat e tij historike si Iliaz Vrioni, Selim Vokopola, Dhimitër Tutulani dhe Xhelal Koprenca.
“Ai erdhi në vitet 1912, si një margaritar i vërtet i kulturës shqiptare, i kulturës evropiane, i kulturës botërore. Erdhi në harkun e pavarësisë si një kështjellë e pamposhtur e aspiratave  të beratasve dhe shqiptarëve për liri, dinjitet dhe pavarësi. Sot është dita të shprehim nderimin tonë më të madh ndaj Babë Dud Karbunarës, Iliaz Vrionit, Selim Vokopolës, Dhimitër Tutulanit, Xhelal Koprencës dhe burrave të tjerë, të cilët firmosën në Vlorë aktin themeltar të shtetit të pavarur shqiptar. Por sot, duhet të përulemi me nderimin më të madh, para atyre dhjetëra e qindra qytetarëve  të Beratit, që në shekuj dhe mijëvjeçarë, ndërtuan, qëndisën në këtë zonë, një nga qytetet më të bukura  të Shqipërisë, një nga trashëgimitë më të çmuara të kulturës shqiptare, kulturës evropiane, kulturës botërore, me të cilët krenohet çdo shqiptar, por dhe çdo qytetar i planetit”, u shpreh Berisha.
Nga Berati, kreu i ekzekutivit deklaroi zotimin e qeverisë që ai drejton, për avancimin e kursit evropian të Shqipërisë, për integrim në familjen e madhe evropiane.
“100 vite nuk kanë qenë të lehta për shqiptarë, ishin vite copëtimesh, pushtimesh, diktaturash, por sot jemi të lirë në Berat në Shqipëri, në Kosovën, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo që jetojmë. Ndaj dhe më të bashkuar se kurrë, rreth flamurit tonë kombëtar, rreth idealeve të atyre që 100 vjet më parë themeluan shtetin shqiptar, të atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që flijuan jetën për lirinë dhe dinjitetin tonë, të bëjmë gjithçka për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre, ëndrrën e bashkimit kombëtar, ëndrrën e tyre evropiane. Shqipëria në Evropë ishte ëndrra fisnike ndaj dhe le të vazhdojmë ne në këtë rrugë, rrugën e Shqipërisë Evropiane”, tha më tej Berisha.
Në përfundim, kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Beratit shpërndanë dekorata mirënjohjeje për familjet patriotike. Berisha shprehu vlerësimin për Bashkinë e Beratit dhe për Këshillin Bashkiak të këtij qyteti për këto vendime, të cilat i cilësoi si vendime fisnike duke theksuar se një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata që nderon.
“Shpreh vlerësimin për vendimet fisnike që keni marrë për të nderuar ata burra të cilëve ne u detyrojmë kaq shumë sot dhe brezat që vijnë. Ne shprehim mirënjohje ndaj tyre. Kjo mirënjohje është plotësisht e merituar dhe uroj që kjo mirënjohje të vijë gjithnjë në rritje. Një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata gra dhe burra që nderon. Dhe ne këtu po nderojmë ata që kanë vënë shpirtin, gjeninë e tyre krijuese në themel të një Shqipërie të lirë e të pavarur”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›