Berisha: “Kisha Katolike, kontribut në Pavarësinë e Shqipërisë”
Konferencë me temë “Roli i Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërinë, Një Vështrim Historik”
“Mirënjohje Kishës Katolike, meshtarëve të saj të të gjitha kohërave, nga Buzuku, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, e Dom Nikoll Kazazit, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar!”
Kryeministri Sali Berisha vlerëson kontributin e Kishës Katolike në pavarësinë e Shqipërisë. Në Konferencën me temë “Roli i Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërinë, Një Vështrim Historik”, i organizuar nga Arqipeshkvia Tiranë-Durrës dhe Caritas Albania, kryeministri Berisha u shprehu nderimin që sot së bashku me drejtuesit e tjerë të tjerë të Kishës nderonte veprën e pavdekshme të Kishës Katolike Shqiptare, në Pavarësinë e Shqipërisë. Ai theksoi se ky 100 vjetor i Pavarësisë, vjen në një moment kulmor për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas kryeministrit, ky është edhe synimi madhor i shqiptarëve, integrimi dhe bashkimi në familjen e madhe evropiane. Duke vlerësuar rolin e meshtarëve nga Buzuku, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, e Dom Nikoll Kazazit, kryeministri Berisha tha se, vepra e tyre, ishte një vepër që qëndron në themel të shqipes së sotme, vepër, e cila bëri të mundur në kushtet dhe në terrin më të madh, zhvillimin e gjuhës sonë. Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se për shqiptarët gjuha shqipe është edhe shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar. Ndërsa vlerësoi se Kisha Katolike ishte në krye të përpjekjes së shqiptareve për të rilindur. Gjithashtu, kreu i qeverisë vlerësoi faktin se roli atdhetar i Kishës ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme në vitet e shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim. Moment historik Kryeministri vlerësoi edhe vizitën e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri. “ Vizita historike e Papa Gjon Pali i II ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për kombin shqiptarë në rrugën e tij të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha kryeministri. Në Konferencën, e cila u hap nga Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Tiranë - Durrës Imzot Rrok Mirdita, merrnin pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, Ministri i TKRS Aldo Bumçi, Drejtori i Caritas Albania Albert Nikolla, besimtarë e të ftuar të tjerë.
...