Lufta kundër zjarrit në Kolorado drejt fitores

Në disa zona shkatërrimet kanë qenë aq masive sa rezidentët nuk do të lejohen të kthehen për disa kohë
Zjarri më shkatërrimtar në historinë e Kolorados tani është 70 për qind nën kontroll, thonë zyrtarët. Lajmërimi erdhi pasi banorët vendës vizituan shtëpitë e veta për të parë dëmet e pësuara. Rreth 32 mijë banorë janë larguar nga qyteti i Kolorado Springs.
Në shtetin tjetër të Dakotës së Jugut, gjashtë anëtarët e ekuipazhit të një aeroplani ushtarak transporti mbetën të vdekur pasi avioni i tyre u rrëzua gjatë përpjekjeve për të luftuar zjarret. Zjarret kanë përfshirë zona të stërmëdha në disa shtete perëndimore të SHBA-ve.
Zyrtarët në Kolorado thonë se mbi 7 mijë hektarë toka dhe 346 shtëpi janë djegur në Koloratë. Dy njerëz janë regjistruar si të vdekur nga zjarret që javën e kaluar u përhapën deri në periferinë e qytetit të dytë më të madh të këtij shteti.
Stuhitë dhe koha me re e ditëve të fundit kanë ndihmuar rreth 1500 zjarrfikësit që po luftojnë zjarret. Por shtatë avionë nuk u ngritën më në fluturim për të derdhur ujë mbi zjarret pas aksidentit të Dakotës.
Zyrtarët thonë se zjarri i Kolorados do të vihet tërësisht nën kontroll pas datës 11 korrik. Ato shtuan se banorët vendës do të duhet të presin edhe një muaj tjetër para se të kthehen në shtëpi për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës së shërbimeve publike. Banorët u lejuan të kthehen përkohësisht në shtëpitë e tyre të dielën për të parë dëmet e pësuara.
Renee Sidman, njëra nga banorët, tha se qe ndjerë keq kur kishte parë se shtëpia e vet qe kursyer nga flakët ndërsa shtëpitë e tjera të lagjes qenë djegur tërësisht.
3 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Lufta kundër zjarrit në Kolorado drejt fitores burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip