GlaxoSmithKline gjobitet me 3 miliardë USD për mashtrim në SHBA

Avandia që përdoret për diabetikët është një nga tre ilaçet e mashtrimit
Gjigandi ndërkombëtar i ilaçeve pati korruptuar mjekët për të shitur produktet e veta.
Një nga prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në botë, GlaxoSmithKline, do të paguajë 3 miliardë dollarë gjobë te autoritetet amerikane pasi prokurorët arritën të vërtetonin mashtrimet e kryera nga kompania me tre produkte të vetat, që qenë shitur për qëllime të pamiratuara përmes një rrjeti korruptimi për mjekët.
GSK raportohet se e pranoi akuzën për promovimin e paligjshëm të dy ilaçeve si dhe për fshehjen e të dhënave mbi sigurinë e një ilaçi të tretë përballë autoriteteve.
Nën hetim qenë vënë tre lloje ilaçesh, Paxil, Ëellbutrin dhe Avandia. Zëvendës prokurori i përgjithshëm i SHBA-ve James Cole tha se gjoba qe e paprecedent në përmasa dhe qëllime.
Mjekët u korruptuan
GSK pranoi se ka promovuar përdorimin e drogave antidepresive Paxil dhe Ëellbutrin për qëllime që nuk qenë të përfshira në licencën e dhënë nga autoritetet, ku përfshiheshin përdorimi i këtyre drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Ajo pranoi gjithashtu se ka fshehur të dhëna mbi efektet e një ilaci të tretë përballë autoritetit amerikan të sigurisë së ushqimeve dhe ilaçeve. GSK u gjet fajtor edhe për pagesën e ryshfeteve për mjekët që ia rekomandonin ilaçet klientëve.
Metodat e marketingut të GSK përfshinin korruptimin e mjekëve me synimin që këto të fundit të rekomandonin ilaçet te të sëmurët. Metodat e ryshfeteve të mjekëve përfshinë çdo formë të imagjinueshme, përfshirë dëfrime të shtrenjta si pushime të paguara në Havai apo pagesën e miliona dollarëve për mjekët që flisnin nëpër konferenca, si dhe bileta falas për koncertet e Madonës, thanë prokurorët.
Si pjesë e marrëveshjes, GSK pranoi që të monitorohet nga autoritetet për pesë vitet e ardhshme. Kompania tha se do ta paguajë gjobën përmes burimeve që aktualisht i disponon.
Ne kemi mësuar nga gabimet që kemi bërë. Kur qe e nevojshme, ne kemi lëvizur punëtorët që qenë angazhuar në këtë sjellje të pahijshme, tha një zyrtar i kompanisë.
Kompanitë farmaceutike akuzohen në të gjithë botën për spekulime dhe praktika korruptive, por shumë pak qeveri realisht i hetojnë dhe ndëshkojnë këto kompani.
3 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
GlaxoSmithKline gjobitet me 3 miliardë USD për mashtrim në SHBA burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip