Tentim-vetëvrasje apo...?

Më pak se një javë pasi ish kryeministri i Rumanisë, Adrian Nastase, qëlloi veten në qafë ndërsa policët arritën për ta dërguar atë në burg, pas dënimit të tij nën akuzat për korrupsion, prokurorët rumunë nisën një hetim penal ndaj mjekut Serban Bradishteanu, i cili operoi Nastasen dhe tre policëve pa zënë në gojë emrat e tyre.
"Veprat që janë subjekt i hetimit penal i referohen pengimit të zbatimit të dënimit aplikuar ndaj ish-kryeministrit Adrian Nastase", theksoi javën e kaluar zyra e procedimit të anti-korrupsionit.
Bradishteanu tha se Nastase duhet të mbahet në spital për së paku 14 ditë, për shkak të rrezikut të komplikimeve nga plaga. Megjithatë, Departamenti Kombëtar i Anti-korrupsionit kapi telefonata nga Bradishteanu, gjatë të cilave ai thoshte se Nastase është në gjendje shumë të mirë. Ai dhe policët janë akuzuar për pengim të drejtësisë.
Një gjykatë e Bukureshtit vendosi se Nastase duhet të transferohej në burgun Rahova.
Nastase, i cili ishte kryeministër nga viti 2000 deri në vitin 2004, u padit për ngritjen e paligjshme të rreth 1.6 milion euro gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2004 dhe u dënua me dy vjet burg.
Shumë njerëz vunë në pikëpyetje tentim-vetëvrasjen dhe plagosjen e tij, pasi ai u dërgua në spital. Nastase ishte me vetëdije, pa shenja gjaku apo një maskë oksigjeni, ndërsa qafa e tij qe mbështjellë me një shall.
Për rreth një javë, publiku u la me përshtypjen se jeta e Nastases ishte në rrezik. Avokati i tij mbushi një aplikim për pezullimin e dënimit me burg të klientit të tij për arsye mjekësore. Në sytë e rumunëve, Nastase nisi të dukej si një viktimë.
"Nga mënyra se si nisi e gjithë kjo, Nastase kishte mbaruar politikisht. Pastaj një pyetje u ngrit: ç'ndodhi me imazhin e partisë?", tha Mirçea Kivu, një profesor i sociologjisë në Universitetin e Bukureshtit.
"Disa nga social-demokratët e shquar u përpoqën ta kthejnë situatën e Nastases në një histori viktimizimi, duke përfituar nga mëshira e njerëzve. Kjo eci në afat të shkurtër, por në afat të gjatë, ajo do të ndikojë negativisht mbi partinë", tha Kivu.
"Nastase është vetëm një kokë turku. Ai ishte një kundërshtar i mundimshëm politik dhe kështu që u hoq. Orvatja e tij e vetëvrasjes ishte thjeshtë efekti i gjithë presionit shkaktuar ndaj tij në vite", tha George Stanilesku, një elektricist 58-vjeçar nga Bukureshti.
"Nuk them se ai nuk është i korruptuar. Vetëm po them se ai nuk është i vetmi. Punon drejtësia? Atëherë t'i gjejë të gjithë," tha ai.
Të tjerë e shohin orvatjen e vetëvrasjes së ish-kryeministrit si një akt frike.
"Ky është njeriu që drejtoi vendin me një grusht të hekurt për katër vjet? Gjesti i tij është i turpshëm dhe konfirmon mbi të gjitha fajin e tij. Përndryshe ai do të luftonte deri në fund për të provuar pafajësinë e vet", tha Aleksandru Nikoara, një kontrollor finance, 37 vjeç. (SETimes)